​Rizvanolli për situatën në Deçan: Nëse ka pasur lëshime do të ketë masa meritore

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli deklaroi se nëse vërtetohen dyshimet për ndonjë lëshim në hallkat e zinxhirit institucionalë në lidhje me rastin e helmimit të Deçanit do të merren masa meritore.

Në një deklaratë për KosovaPress, ministrja Rizvanolli u shpreh se si Qeveri e Kosovës janë duke bërë maksimumin për të qartësuar të gjithë situatën si dhe për të kuptuar nëse te e gjithë situata ka ardhur si pasojë e ndonjë veprimi të KRU “Hidrodrini”.

“Është me të vërtetë diçka shqetësuese për të cilën ne secili institucion brenda mandatit dhe kompetencave duhet të bëjmë dhe do të bëjmë, dhe jemi duke bërë maksimumin për të qartësuar situatën në mënyrë që të sigurohemi që në të ardhmen një gjë e tillë mos të ndodhë mirëpo edhe nëse ka pasur lëshime nga cilido institucion në atë hallkat e zinxhirit të institucioneve përkatëse të sigurohemi që secili dyshim të dënohet, të merren masat në mënyrë meritore. Ne si Ministri e Ekonomisë, duke qenë se e përfaqësojmë Qeverinë e Kosovës në monitorimin e ndërmarrjeve publike qendrore, duke përfshirë këtu edhe ndërmarrjet e ujësjellësve rajonalë ku bën pjesë edhe ‘Hidrodrini’, që nga dita e parë kur kemi marrë lajmin me 11 korrik për helmimet në Deçan kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me ndërmarrjen ‘Hidrodrini’, IKSHPK dhe të gjitha institucionet relevante të përfshira në mënyrë që të informohemi të qartësojmë nëse ndonjë veprim apo mosveprim nga ana e ndërmarrjes ‘Hidrodrini’ ka qenë shkaktar për këtë helmim që ka ndodhur”, tha Rizvanolli.

Megjithatë, titullarja e Ministrisë së Ekonomisë, u shpreh se nga analizat e para kanë kuptuar se ndërmarrja “Hidrodrini” ka qenë fajtore për helmimin e rreth 1500 qytetarëve në Deçan.


Ajo ka thënë seduhet me gjakftohtësi institucionet kompetentë ta vazhdojnë të hetojnë rastin dhe më pas të dilet në përfundime.

“Deri dje pasdite mund të them se nuk ka pasur asnjë arsye që ndërmarrja ‘Hdirodrini’ ka qenë përgjegjëse në ndonjë mënyrë për këtë duke qenë se rastet kanë vazhduar të paraqiten edhe pasi ‘Hidrodrini’ ka ndërprerë furnizimin me ujë në atë pjesë dhe duke qenë se raste ka pasur edhe në pjesët ku nuk furnizohet nga ‘Hidrodrini’. Dje pasdite kanë dalë rezultate që tregojnë se ka qenë helmim bakterial dhe ka pas akuza ndaj ‘Hidrodrinit’ ka qenë përgjegjës. Sipas informatave që kemi, mendoj që është herët të konkludohet dhe mendoj që duhet me gjakftohtësi institucionet kompetentë ta vazhdojnë të hetojnë rastin të shohim se çka ka ndodh. Janë njerëzit teknikë ata që e bëjnë këtë. Duhet t’iu besojmë mjekëve, laborantëve, inxhinierëve, inspektorëve që merren me këtë punë që të sqarojnë hallkat e zinxhirit ku ka ndodhur problemi dhe pastaj të shohim për masat eventuale që do të ndërmerren”, vijoi Rizvanolli.

Partitë politike kanë fajësuar Qeverinë për reagim të vonshëm në këtë ngjarje, mirëpo Rizvanolli kërkon që kjo çështje të mos politizohet, ashtu sikurse kërkon që të mos nxitohet për të shpallur fajtorët.

“Mendoj që është absolutisht e rëndësishme që kjo çështje të mos politizohet dhe tej politizohet siç ka ndodhur deri më tani. Dhe gjithashtu të mos ngutemi për të fajësuar në këtë rast ndërmarrjen ‘Hidrodrini’, unë sipas informatave që kam mendoj që është herët për të konkluduar këtë gjë. Do të vizitoj sot ndërmarrjen pasdite. Pas takimit të përbashkët që ndërmarrja do ta ketë me institucionet relevante që janë përfshirë në këtë çështje ku do të vazhdoj të marrë informata më të detajuar për rastin si ka ndodhur. Gjithmonë brenda kompetencave tonë si Mistri e Ekonomisë që e mbikëqyrim ndërmarrjen ‘Hidrodrini’ dhe duke lejuar institucionet e tjera që të kryejnë punën e tyre dhe ta thonë versionin vet”, përfundoi Rizvanolli.

Lexo edhe

Video

error: