​Rizvanolli apelon për kursim të energjisë: Tarifat mund të rriten pas prillit

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u ka bërë thirrje sërish qytetarëve që të kursejnë energjinë. Ajo potencoi se është një gjendje e jashtëzakonshme, duke bërë të ditur se konsumi i tepërt i energjisë mund të rrezikojë sigurimin e energjisë. Rizvolli gjatë së mërkurës ka bërë të ditur se mund të ketë rritje të tarifave pas muajit prill të vitit të ardhshëm.

Në diskutimin me temën” Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë”, ministrja Artane Rizvanolli u zotua se si qeveri kanë prioritet adresimin e çështjes së ngrohjes. Në tryezën e organizuar nga Balkan Green Foundation, ajo tha se janë duke bërë politika nga fillimi për sektorin e energjisë dhe çështja e ngrohjes është me rëndësi.

Tutje, përmendi edhe tri sistemet e ngrohjes në Kosovë, për çka u shpreh se nuk mjaftojnë në mbulimin e kërkesës për energji elektrike.

“Mbulimi i kërkesës për energji elektrike nga këto sisteme është vetëm 3-5 përqind. Shpresojmë që gjatë viteve të ardhshme, me zgjerimin e rrjetit të ‘Termokosit’ dhe me ngrohtoren e re që e inauguruam në Gjakovë, shpresojmë të rritet. Megjithatë, nuk duhet pasur iluzione që sisteme të tilla të ngrohjes qendrore do të mbulojnë të gjithë kërkesën për ngrohje në vend, sidomos në komuna më të vogla si dhe në lagje ku dominojnë shtëpitë më shumë. Kjo nuk duhet të mjaftohemi me studimin e fizibilitetit për ngrohje qendrore në bashkëpunim me BE-në në gjashtë komuna në Kosovë”, tha ajo.

Rizvanolli shtoi se janë duke punuar në disa projekte në lidhje me sistemin e ngrohjes. Ajo u zotua se në “Termokos” parashihen investime për rritjen e ngrohjes dhe zgjerimin e rrjetit.

Ajo ka sqaruar edhe deklaratën për shpenzimin e energjisë, duke theksuar se qytetarët duhet të kuptojnë që çmimet janë pesëfishuar në krahasim me vitin e kaluar.


“Rrjedhimisht është një gjendje e jashtëzakonshme në të cilën secili prej nesh duhet të bëjë diçka që është e mundur, brenda kapaciteteve të tij, si institucione dhe si qytetarë, në mënyrë që kjo krizë sa më pak ta prek Kosovën. Në këtë kontekst është me rëndësi që qytetarët të jenë të vetëdijesuar dhe që ata të kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që të jetë e mundur. Duke përfshirë këtu shfrytëzimin, duke qenë që konsumi i energjisë për ngrohje përbën një problem për Kosovën gjatë dimrit. Është posaçërisht këtë vit që të shfrytëzojmë burime të tjera të ngrohjes, nëse është kjo e mundur. Është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë rëndësinë e kursimit të energjisë, si dhe të kuptojnë që mos-kursimi i energjisë, sa më shumë që konsumojmë energji do të thotë që sa më shumë do të importojmë energji gjatë dimrit. Që mund të përbëjë rrezik edhe për sigurimin, por mund të çojë edhe në rritje të tarifat pas prillit”, ka deklaruar Rizvanolli në këtë tryezë.

Në këtë tryezë diskutimi u tha se furnizimi me ngrohje për qytetarët e Kosovës mbetet sfidë e madhe, dhe se mbi 50% e qytetarëve nuk mund të sigurojnë ngrohje të mjaftueshme për shtëpitë e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Balkan Green Foundation, Visar Azemi tha se largimi nga djegia e thëngjillit dhe drunjëve dhe dekarbonizimit të ngrohjes është me rëndësi të madhe dhe nevojë urgjente për Kosovën.

“Duhet të ndahet buxhet i mjaftueshëm nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që këto masa të zbatohen edhe të ndalemi gradualisht, por sigurt, nga përdorimi i thëngjillit por edhe i drunjëve, si masë e parë. Duke zëvendësuar atë me energji të pastër dhe të qëndrueshme…. Duhet që para vetës po ashtu të vendosim një datë dhe të ndërmarrim të gjitha veprimet të dekarbonizimit të plotë të sektorit të energjisë në mënyrë që politikat dhe strategjitë të na vendosin në një rrugë të drejtë të arritjes së objektivave”, ka theksuar ai.

Hulumtuesi i Arven Syla ka prezantuar punimin me temën “Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë. Ai tha se janë tre faktorë që ndikojnë në pengesat për dekarbonizim.

“Janë tre faktorë kryesorë që ndikojnë në vështirësinë e arritjes së dekarbonizimit. Faktori ka të bëjë me faktorin ekonomik, kjo është si pasojë që kostot e larta pra të produkteve ekologjike, apo të burimeve të ripërtrishme janë të larta. E kjo si pasojë që sot modelet ekonomike nuk përfshihen në modelet e tyre të kostos së ndotjes së ambientit. Faktori i dytë që vështirëson dekarbonizimin është rregullativat ekzistuese dhe kornizat institucionale, pra ende këto mbështesin burimet fosile. Ne sot blejmë kalda të cilat përdorin burimet fosile, apo blejmë thëngjill, naftë për ngrohje. Kjo vlen edhe për institucione publike, e mos të flasim për sektorin privat”, ka theksuar ai.

Më tej, ai theksoi se një prej faktorëve që ndikon në Kosovë për pengesë në dekarbonizim është edhe hezitimi i qytetarëve për të blerë produkte që janë ekologjike. Syla në prezantimin e këtij punimi shtoi se alternativat për ngrohje janë, biomasa, energjia elektrike, ngrohtoret qendrore, e burimet e ripërtrishme./Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video

error: