​Rivarrosen sot eshtrat e 3 të zhdukurve të luftës

​Rivarrosen sot eshtrat e 3 të zhdukurve të luftës

Pas 22 vitesh nga rrëmbimi dhe zhdukja e dhunshme nga forcat serbe, rivarrosen sot, Dibran (Ramë) Dibrani, Zeqir (Behram) Muja dhe Remzi (Kadri) Kurteshi. Në respektim të kërkesave të familjeve, rivarrimi do të bëhet sot, më 25 qershor 2021, në varrezat në Shipol, Mitrovicë, në ora 14:00.

Dibran Dibrani ishte në moshën 69 vjeçare kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe nga data 24 maj 1999. Kurse Zeqir Muja ishte në moshën 79 vjeçare kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe nga data 29 maj 1999.

Eshtrat e këtyre dy viktimave janë gjetur dhe zhvarrosur në fund të vitit të kaluar, në një lokacion në varrezat e besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës, ku kanë qenë të groposur nga forcat serbe në përpjekjen e tyre të fshehjes së gjurmëve të krimit.

Remzi Kurteshi, ishte në moshën 27 vjeçare kur ishte zhdukur dhunshëm nga forcat serbe nga data 15 prill 1999.


Javën e kaluar, më 18 qershor 2021, pas identifikimit përmes analizës së ADN-së, është rivarrosur Nezir (Xhevat) Shabani. Në respektim të kërkesës së familjes, Nezir Shabani është rivarrosur afër varrit të Selahedin Mehmetit, i identifikuar dhe rivarrosur gjatë muajit prill të këtij viti, ashtu siç ishin bashkë edhe në momentin e rrëmbimit dhe zhdukjes së dhunshme më 5 qershor 1999. Edhe eshtrat e këtyre dy viktimave janë gjetur në fund të vitit të kaluar në lokacionin e varrezave të besimtarëve mysliman në veri të Mitrovicës, ku kanë qenë të groposur nga forcat serbe, më qëllim të zhdukjes edhe të gjurmëve të krimit.

Në ditët në vijim dorëzohen për rivarrim edhe eshtrat e dëshmorit Remzi Maksuti dhe viktimës së luftës Magbule Morina, të identifikuar gjatë këtyre ditëve.

Organizimi i ceremonive të rivarrimit përkrahet nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet komunale dhe shoqatat e familjeve, gjithnjë duke respektuar dhe përkrahur kërkesat e familjeve të personave të zhdukur.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në angazhimin maksimal, përmes dhe në bashkëpunim me mekanizmat kompetent institucional, për trajtimin me prioritet të ndriçimit të rasteve të personave të zhdukur, në respektim të së drejtës së familjeve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur.

Lexo edhe

Video