Qarkullimi i mallrave me tren në Kosovë ka rënie drastike në vitin 2022 dhe në pesë muajt e vitit 2023. Kjo rënie në zero transport në muajt e fundit vlerësohet se po ndodhë për arsye të infrastrukturës hekurudhore e cila është në gjendje të rëndë.
Drejtues të kompanisë publike “Trainkos” thanë se gjendja e rëndë infrastrukturore hekurudhore në Kosovë nuk po iu mundëson bizneseve të Kosovës transportin e mallrave në rajon dhe në tregjet e Bashkimit Evropian, si dhe anasjelltas. Nga kjo kompani tregojnë po ashtu se faktori kryesor i rënies së shërbimeve me tren është mungesa e modernizimit të linjave.
Përkundër që Kosova vazhdon të paguajë kredi ndërkombëtare për realizimin e projektit të përbashkët me donacion nga Bashkimi Evropian për modernizimin e linjave hekurudhore, ky projekt ka mbetur pa përfunduar. Rehabilitimi i segmentit hekurudhor Fushë Kosovë – Han i Elezit është në riparim e sipër që prej vitit 2019 dhe fillimisht, ka qenë e paraparë që punimet të përfundojnë në vitin 2021.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Departamentit për Zhvillimin e Biznesit, Sefedin Sefaj në “Trainkos”, në një intervistë për KosovaPress ka renditur sfidat me të cilat ballafaqohet kjo kompani.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin mars 2023, numri i udhëtarëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte 6 mijë e 352 ose 7.4% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërsa sasia e mallrave të transportuar në neto ton ishte 0.
Ndërkaq, qarkullimi i mallrave të transportuara me hekurudhë në Shqipëri për tremujorin e parë 2023 është 149 mijë ton, duke u rritur kështu me 5,0 %, në krahasim me tremujorin e parë 2022.
Në Shqipëri volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë në mijë ton-km rezultoi 5.165, duke u rritur me 1,7 %, krahasuar me tremujorin e parë 2022.