​Reciprociteti për targat konsiderohet vendim strategjik që e fuqizon Kosovën në aspektin ndërkombëtar

Reciprociteti për targat ndaj automjeteve serbe po konsiderohet si vendim strategjik që do ta fuqizojë Kosovën në aspektin ndërkombëtar. Efektet diplomatike të këtij vendimi, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare do të jetë pozitive për vendin, pasi Kosova, përmes reciprocitetit mund ta diktojë rolin e saj në raport me Serbinë, por do të shërbejë edhe si mesazh ndaj Bashkimit Evropian për integrim më të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, kërkohet që situata në veri të vendit të qetësohet dhe të shikohet se çka mund të arrihet në këtë fazë.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë për KosovaPress se vendimi për reciprocitet ndaj automjeteve serbe mund të ketë kosto, por është i duhuri për të treguar shtetësinë dhe rolin e Kosovës në rajon.

“Është një vendim strategjik për t’i matur pulsin se deri ku mund të shkojnë problemet në Ballkan nëse nuk mund të zgjidhen në mënyrë definitive. Qeveria e Kosovës ka bërë veprim shumë të mirë dhe të duhur, pavarësisht kostos, por ne ndonjëherë duhet të dëshmojmë se ekzistojmë si shtet në këtë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Është një veprim që tregon se ky shtet e ka një kushtetutë dhe janë disa ligje që duhet të zbatohen. Pikërisht ky vendim i Qeverisë së Kosovës ka përçuar mesazhin edhe te BE-ja, një lloj shok terapie që edhe ata e kanë kuptuar se Kosova është e pavarur, një gjë që dihet, por shihet se perceptimi i BE-së nuk është i njëjtë për Kosovën, siç e kanë për Serbinë”, thotë ai.

Derisa e quan të rëndësishëm vendimin për reciprocitet, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gazmir Raci, thotë për KosovaPressse se krijimi i një situatës destabilizuese në veri duhet të jetë mesazh për BE-në se për Ballkanin Perëndimor nuk mjafton vetëm asistenca financiare, por nevoja për perspektiv të qartë sa i për ketë anëtarësimit.

“Është mirë që situata të qetësohet, të ulen tensionet dhe të shikohet çka mund të arrihet në këtë fazë. Vendimi i Qeverisë së Kosovës ishte një vendim i pritshëm, po ashtu ishte edhe një vendim që mori një përkrahje të gjerë të popullit të Kosovës, institucioneve dhe shoqërisë civile. Andaj nga ai vendim nuk duhet të lëvizet më… Për Ballkanin Perëndimor nuk mjafton vetëm asistenca financiare, për Ballkanin Perëndimor ka nevojë për perspektivë të qartë sa i përket anëtarësimit dhe neve na duhet mbështetje politike e BE-së, e sidomos shteteve kryesore siç është Gjermania dhe Franca. BE-ja duhet t’ia hap dyert sa më shpejt Ballkanit Perëndimor”, thekson Raci.


Pavarësisht se për vendimin për reciprocitet mund të ketë ndonjë kritikë nga aleatët, profesori universitar, Dritëro Arifi thotë se efektet pozitive diplomatike do të dalin në pah më kohë, pasi ky vendim është pozitiv dhe i ligjshëm në aspektin shtetëror.

“(Efektet në aspektin diplomatik) mendoj se janë shumë pozitive, pavarësisht se mund të na kritikojnë shumë shtete, pasi nuk janë mësuar që Kosova të merr këso veprime të themi uni laterale, por në aspektin shtetëror… Nuk duhet të ngutemi me masa të tjera, duhet ta masin njëherë presionin dhe tension çka prodhon ky vendim deri në fund dhe të jemi koshient që mos të eskalojë situata. Por ajo varet edhe nga pala tjetër se çfarë interesa ka”, shton Arifi.

Lidhur me vendimin e së hënës kanë reaguar vazhdimisht edhe nga Bashkimi Evropian, por edhe SHBA-të duke kërkuar uljen e tensioneve.

Në margjina të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të SHBA-së, aktive për ta mbrojtur vendimin e Qeverisë Kurti, ishte edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila dje ka pasur një takim trelateral me homologët e saj Millo Gjukanoviq nga Mali i Zi dhe Zheljko Komshiq kryetar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Përmes një komunikate të përbashkët për medie u kërkua ruajtja e stabilitetit rajonal si parakusht për perspektivën evropiane të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Qeveria e Kosovës të hënën mori vendim për reciprocitet për targa të automjeteve serbe që hyjnë në Kosovë dhe vendosjen e targave të përkohshme, pasi të njëjtën e praktikon edhe shteti fqinj.

Lexo edhe

Video