​Realizimi i marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri shihet me skepticizëm nga ish-ministri i Financave

Marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Shqipërisë të premten në Elbasan pritet të kenë ndikim në qarkullimin tregtarë dhe për ekonomitë e dy vendeve.

Disa nga marrëveshjet përveç se do të lehtësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, do t’u krijojnë lehtësira edhe bizneseve për eksport dhe import.

Megjithatë, ish-ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Haki Shatri shprehet skeptik për realizimin e këtyre marrëveshjeve, sidomos atë për hekurudhën Durrës-Prishtinë.

Ai thotë se këto marrëveshje mund të mos gjejnë zbatim sikur shumë marrëveshje të tjera që kanë mbetur vetëm në letër.

“Marrëveshjet i vlerësoj si një arritje dhe punë e mirë, por kjo nuk do të thotë që ka përfunduar puna. Ajo që më brengos mua është pompoziteti dhe ‘filmat’ para opinionit gjëja se po ndodh diçka e madhe, e si t’ia kthejnë shpinën njëri tjetrit për të harruar çka ka ndodhur dhe për t’u marrë me punë tjera të përditshme, ajo është shqetësuese. Ka ndodhur në të kaluarën, e po frikohem që edhe këto marrëveshje që në dukje janë të dobishme nëse zbatohen, por prapë po them se frikohem që nuk do ndodhin. Pse? Po nisemi prej asaj deklaratës pompoze për hekurudhën. Ky projekt është I dëshirueshëm dhe është një vepër që tejkalon kufijtë e arsyeshmërisë ekonomike… Pse jo me u bërë ajo! Por, sa përgatitje dhe gatishmëri për këtë projekt, kur këto hekurudha në brendi të Kosovës për të cilat janë ndarë mjete, marrëveshje për kredi ndërkombëtare dhe nuk e di a kanë filluar me u riparuar. Se për t’u funksionalizuar s’po flasim”, thekson ai.

Përkundër skepticizmit, ish- ministri i Financave, Shatri bëri me dije se marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Shqipërisë, e ka nënshkruar vetë si ministër aso kohe.

Ai shtoi se ajo marrëveshje e parë me ish-ministrin e Financave Arben Malaj për tatimin e dyfishtë ka qenë e dobishme dhe vazhdon të zbatohet nga të dyja shtetet.

“Unë jam nënshkrues i parë i një marrëveshje me Shqipërinë për heqjen e tatimit të dyfishtë me ish-ministrin Malaj, ish-ministër i Financave. E ndiej veten mirë, ka qenë një marrëveshje e dobishme dhe ajo është duke u implementuar, nuk është problem. Ndërsa, këto marrëveshjet lidhur me kufirin janë më lehtë të realizueshme, kërkohet një vullnet i dyanshme. Që të jemi më të sinqertë te pala kosovare gjithmonë ekziston vullneti edhe me veprua, jo vetëm me nënshkrua”, tha ai.

Ish-ministri Shatri uron që të zbatohen të gjitha marrëveshjet tjera, edhe këto të fundit dhe të mos ketë barriera tarifore dhe jo tarifore për prodhuesit kosovarë, me të cilat sipas tij ata edhe sot po përballen.

“Kështu që është shqetësuese, sepse fjalët janë të bukura, dashtë Zoti aprovohen këto marrëveshje, por veprimet nuk janë pasi që ka barriera jo tarifore, tarifore, që dalin pengesë dhe vështirësojnë punën bizneseve dhe prodhuesve tanë me qarkulluar dhe me realizuar diçka në pjesën tjetër të kombit të vet”, tha ai.

Në mbledhjen e shtatë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, u nënshkruan 13 marrëveshje:


Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për zbatimin e lehtësirave të ndërsjella në procedurat doganore dhe/ose të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.

Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar.

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për lehtësimin e procedurave dhe kushteve për marrjen e leje qëndrimit të përkohshëm.

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Marrëveshje ndryshuese e Marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës)–Krushevë (Dragash) midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje civile dhe tregtare. Marrëveshje për sigurime shoqërore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Kalendari i përbashkët Kulturor Vjetor ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.

Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve.

Memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës për ndërtimin e lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës.

Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucione të tjera të autorizuara.

Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës. /I. Shabani/ 

Lexo edhe

Video

error: