​Raporton kryeshefi i IPK-së para komisionit, nuk arrin të diskutohet për intervistimin e Mehmetit

Për detaje të rastit të intervistimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti nuk u diskutua në mbledhjen e Komisionit për Siguri. Kjo u kërkua nga kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës(IPK) që të bëhet me dyer të mbyllura. Më pas mbledhja vazhdoi me pyetje të tjera dhe nuk pati kohë për vazhdimin e raportimit në këtë formë për këtë rast.

Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj është pyetur nga deputeti Mefail Bajqinovci për arsyen e intervistimit të drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ditë më parë.

“Ishte kohë më parë një shqetësim në publik, që është intervistuar drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për një rast të një zyrtari të lartë policor, i cili paska një përgjim ku është fol me personin i cili është arrestuar për drogë. Dhe doli në media që drejtori i Policisë është intervistuar dhe a është përmendur emri i tij në këtë telefonatë i nderuar”, ka pyetur Bajqinovci.

Hodaj ka kërkuar që kjo mbledhje të vazhdojë e mbyllur teksa raportohet për këtë rast.

“Aspekte të detajuara të një rasti që është në hetim nuk kisha preferuar të jap në këtë ambient. Sigurisht që është vlerësuar që duhet të intervistohet si dëshmitar në një rast të caktuar dhe është intervistuar…Bekë Berisha: ‘A e ke nevojshme, unë edhe ashtu kam pasur me mbyll seancën, kështu që përgjigjesh pas 10 minutave’”, u shpreh Hodaj.

Bajqinovci ka vijuar edhe me disa pyetje të tjera në lidhje me konkursin e brendshëm për pozita drejtuese të disa departamenteve.

“Cila është arsyeja e ndërprerjes së konkursit të brendshëm për pozita drejtuese për udhëheqësit e departamenteve dhe në çfarë baze ligjore jeni thirrur. Cila është arsyeja e mos shpalljes së konkursit për udhëheqës divizioni? Ju këto pozita i keni mbajtur ushtrues detyre me vetëm një e-mail, në kundërshtim me rregulloren dhe ligjin, derisa edhe auditimi e ka treguar këtë shkelje. Pastaj e keni nxjerrë vendimet për këta ushtrues detyre”, ka vijuar me pyetje drejtuar Hodajt, deputeti i LVV-së.


Ai është përgjigjur se me ndryshimin e qeverisë, ka pasur një kërkesë prej ministrit të MPB-së që gjitha proceset tenderuese dhe konkurruese të pezullohen deri në një vlerësim, por kjo ka zgjatur.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj tha se numri më i madh i ankesave gjatë vitit kanë qenë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, fajde, shkaktimi i lëndimeve trupore dhe dhuna në familje.

“Ne kemi pranuar deri më sot 1862 ankesa që është një numër mbi 30 për qind më i lartë se sa vitin e kaluar. 617 prej tyre janë për hetim në Departamentin e Hetimeve, ndërsa pjesa tjetër  janë vlerësuar që kanë elemente të shkeljeve administrative dhe janë kthyer në Drejtorinë për Hetime të Brendshme dhe Verifikim në Policinë e Kosovës. Si rezultat i këtyre ankesave që janë trajtuar në Departamentin e Hetimeve janë ngritur 62 kallëzime penale dhe 26 raporte të veçanta. Është rekomanduar suspendimi i 78 punonjësve të policisë dhe janë arrestuar 31 zyrtarë policor”, ka thënë Hodaj.

Deputeti i pozitës, Arbër Rexhaj ka pyetur edhe për familjen e Hodajt, të cilët janë përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ju Kushtrim, njiheni si familja është përkrahëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës. E cila familje merret qysh mbi 20 vjet me politikë, por sigurisht ju nuk mundeni, shkaku i pozicionit që mbani. Mirëpo, meqenëse pra familjarisht merreni, më intereson ta di, se a ju pengon kjo në punën e juaj kur familjarët e juaj janë në pozita të larta të LDK-së, garojnë në çdo palë zgjedhje dhe po më intereson sfida juaj”, ka deklaruar deputeti Arbër Rexhaj.

Hodaj në komision theksoi se nuk kanë pranuar asnjëherë raport me rekomandime nga Kuvendi i Kosovës, ku theksoi se kanë mungesë të zyrave rajonale dhe të stafit.

Sa i takon vazhdimit të mbledhjes me dyer të mbyllura, ajo përfundoi për shkak të kërkesës së një komisioni tjetër për të mbajtur mbledhje në sallën e njëjtë. Kjo mbledhje e komisionit do të vazhdojë një ditë tjetër me sqarimin e rasteve që nuk u diskutuan sot. 

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: