​Rama zotohet: Prishtina do të bëhet qytet praktik

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur seancën inauguruese, ku u betuan kryetari i zgjedhur, Përparim Rama dhe asamblistët e rinj.

Në ceremoninë solemne, kryetari Përparim Rama u betua se si udhëheqës i kryeqytetit do t’i kryejë të gjitha detyrat me ndershmëri dhe mënyrë të paanshme. Ai tha se nën qeverisjen e tij, Prishtina do të bëhet qytet praktik dhe i lehtë.

“Prishtina me punë dhe përkushtim mund të bëhet vërtet qytet praktik dhe i lehtë në përfitim të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Guximin me ia dashtë të mirën vendit tonë le të mos ndalet këtu. Ajo çka na bashkoi gjatë fushatës, sinergjia për me dashtë njëri-tjetrin, për me ëndërruar të bukurën dhe shpresuar për një të ardhme më të mirë është forca që na duhen në vazhdim forca e unitetit, forca e sinqeritetit, forca e bashkimit. Jam i vetëdijshëm që sfidat do të jenë të shumta, por v vullneti për të bërë shumë punë e për t’i bërë mbarë dhe guximi për ta bërë realitet vizionin për Prishtinën gjithëpërfshirëse është shumëfish më i fortë se çdo sfidë. Është dëshira e të gjithëve. Besimi juaj, shpresa juaj, dashuria që keni për njëri-tjetrin e për të përbashkëtën tonë më mbushë me energji të pafund”, tha ai.


Rama i bëri ftesë të gjitha partive politike që t’i bashkëngjiten në qeverisjen e tij, pasi tha se do të punojë pa dallime për Prishtinën e gjelbër dhe të zhvilluar ekonomikisht.

“Nga sot, ne u përvishemi punëve. Prishtina do të jetë qytet i fëmijëve, prindërve, moshuarve, sportistëve, artistëve dhe vend plotë gjallëri dhe mundësi për të rinjtë. Do të jetë qytet i zhvilluar ekonomikisht, qytet i gjelbër, i mençur me trafik të komunikueshëm dhe i digjitalizuar. Të nderuar asamblistë, si kryetar i Prishtinës do të bashkëpunoj me secilin prej jush për të mirën e kryeqytetit. Për Prishtinën i mirëpres të gjithë, pa dallime për të çuar përpara projekte që na përmirësojnë jetën e të gjithëve. Gjithashtu, nga këtu i bëj ftesë shoqërisë civile dhe të gjitha partive politike që të na bashkëngjiten në qeverisjen tonë, për Prishtinën tonë”, theksoi ai.

Nga 51 këshilltarë komunalë që ka asambleja në Prishtinë, tre munguan të japin betimin, në mesin e tyre edhe dy kandidatët për kryetarë në zgjedhjet lokale, ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia dhe ai nga AAK-ja, Daut Haradinaj.

Në betimin e tyre, 17 këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje u betuan para flamurit kombëtar të vendosur mbi tavolinat e tyre.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.

error: