​Rama sot në Bruksel, Shqipëri- BE rruga e vështirë drejt integrimit

​Rama sot në Bruksel, Shqipëri- BE rruga e vështirë drejt integrimit

Shqipëria pret sot të nisë Konferencën e parë Ndërqeveritare Shqipëri- BE në Bruksel. Pas votimit në parlamentin maqedonas të propozimit francez që synonte zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, tashmë duket se formalisht nuk ka asnjë pengesë që Shqipëria të zhvillojë Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE-në, konferencë e cila e çon vendin një hap më përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Por ky rrugëtim ka qenë mjaft i vështirë dhe me shumë të papritura për Shqipërinë. Për këtë qëllim duhet parë edhe kuadri historik Shqipëri- BE. Rtsh.al hedh një vështrim rreth këtij procesi, duke nisur që nga viti 1991. Por përpara se të rendisim faktet, fillimisht duhet kuptuar se çfarë është BE-ja.

Historia e Bashkimit Evropian

Historia e Bashkimit Evropian e ka zanafillën pas Luftës së Dytë Botërore, atëherë kur 6 shtete të Evropës, përkatësisht Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu themeluan Komunitetet Evropiane, me qëllim që nëpërmjet forcimit të bashkëpunimit ekonomik të promovonin paqen dhe prosperitetin në kontinent. Sot, në 2022, Bashkimi Evropian numëron 27 shtete anëtare dhe një sërë arritjesh duke e sjellë atë më pranë një bashkimi politiko-ekonomik sesa kurrë më parë. I konsideruar si një organizëm politik sui generis, ai është zhvilluar në shumë drejtime duke marrë kompetenca shtetërore në një sërë fushash të politikave publike, dhe duke krijuar një lidhje më të afërt me qytetarët evropianë.

Historiku Shqipëri- BE

– Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike: Që prej vitit 1991, menjëherë pas rënies së sistemit komunist dhe me vendosjen e regjimit demokratik, Shqipëria rivendosi marrëdhëniet diplomatike me Komunitetin Evropian, si shprehje e vullnetit të saj për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, vlerat e të cilës ajo i aspiron fuqishëm edhe sot.

– Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit (MSA): Sa i përket procesit politik dhe ligjor të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, momenti i parë që i çeli rrugën asaj drejt aderimit në këtë organizëm është viti 2004, kur Shqipëria nënshkroi MSA me BE-në. Kjo marrëveshje përbën kuadrin politik dhe ligjor bazë të procesit të anëtarësimit të vendit në BE dhe kuadri i përbashkët i marrëdhënieve të BE me Ballkanin Perëndimor.

– Samiti i Selanikut: MSA-ja ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë u parapri nga një vendimmarrje e rëndësishme e vendeve anëtare për rajonin, që u arrit në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku u përcaktua perspektiva e anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe i hapi rrugë shfrytëzimit të instrumenteve të përdorur në vendet e tjera anëtare.

– Kërkesa zyrtare për anëtarësim: Në prill të 2009, më pak se një muaj nga hyrja në fuqi e MSA shteti shqiptar dorëzoi kërkesën zyrtare për anëtarësimin në BE.

– Liberalizimi i vizave: Në qershor të vitit 2010Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian miraton heqjen e vizave me Shqipërinë.

– Statusi i vendit kandidat: Një nga komentet kyçe të avancimit të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE është Qershori i vitit 2014 ku Këshilli i Ministrave te BE miratojnë unanimisht dhënin e statusit kandidat për Shqipërinë.

– Hapja e negociatave: Në 20 Mars 2020, Këshilli Evropian i BE miratoi hapjen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë

Ballkani Perëndimor në BE


Perspektiva e Ballkanit në BE u formalizua në vitin 2003 në Samiti i Selanikut, dhe pavarësisht skepticizmit lidhur me zgjerimin të disa prej vendeve anëtare, veçanërisht, Francës, Holandës apo Danimarkës, ka vazhduar të jetë e tillë deri më sot, duke u artikuluar fuqishëm nga institucionet e BE, posaçërisht Komisionit Evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalën e saj në fjalimin drejtuar Unionit të BE në Shtator 2020, theksoi se “Evropa do të jetë gjithmonë gati për të ndërtuar partneritet të fortë me fqinjët e saj më të afërt.  Kjo fillon me Ballkanin Perëndimor. Vendimi gjashtë muaj më parë për të hapur negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ishte me të vërtetë historik! Realisht, e ardhmja e të gjithë rajonit është në BE. Ne ndajmë së bashku të njëjtën histori dhe të njëjtin fat.”

Kriteret e anëtarësimit në BE

Shtetet që aspirojnë të bëhen pjesë e Unionit, përfshirë Shqipërinë duhet të plotësojë një sërë kriteresh për anëtarësim apo ndryshe “Kriteret e Kopenhagës”. Në thelb, këto kritere përfshijnë tre drejtime apo shtylla kryesore:

Procesi i monitorimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit realizohet në mënyrë të vazhdueshme nga Komisioni Evropian i cili i publikon rezultatet e monitorimit të progresit në raportet e tij vjetore. Çdo vit aty pasqyrohen arritjet, ngecjet, dhe rastet e hapave pas në përmbushjen e kritereve dhe standardeve të anëtarësimit. 

Zgjerimi për vendet e Ballkanit Perëndimor

Më 5 shkurt të vitit 2020 Komisioni Evropian paraqiti një propozim për “Forcimin e procesit të aderimit – një perspektivë e besueshme në BE për Ballkanin Perëndimor”, e cila u mbështet nga Këshilli Evropian në muajin mars të po këtij viti.  Në thelb, kjo qasje, synon të rivalizojë procesin e aderimit duke e bërë atë më të parashikueshëm, më të besueshëm, më dinamik dhe me drejtim të fortë politik, bazuar në kritere objektive dhe rigoroze si dhe kushtëzimin negativ e mundësinë e kthimit pas. Kjo qasje konsiston kryesisht në:

  • Një proces të besueshëm të aderimit, që nënkupton besim të ndërsjellët dhe angazhime të qarta si nga BE-ja ashtu dhe vendet e Ballkani Perëndimor dhe forcimin e kredibilitetit të procesit përmes një fokusi edhe më madh tek reformat themelore, duke filluar nga sundimi i ligjit, funksionimi i institucioneve demokratike dhe administratës publike, si dhe ekonomia e vendeve kandidate.
  • Një drejtim politik më të fortë, pasi natyra politike e procesit të aderimit kërkon një drejtim dhe angazhim më të fortë politik në nivelet më të larta. Kjo lips rritjen e mundësive për dialog të nivelit të lartë politik përmes samiteve të rregullta BE-Ballkan Perëndimor dhe kontakteve të intensifikuara ministrore. Për më tepër, Shtetet Anëtare duhet të përfshihen më sistematikisht në monitorimin dhe rishikimin e procesit.
  • Një proces më dinamik. Për të injektuar dinamizëm të mëtejshëm në procesin e negociatave, kapitujt e negociatave do të grupohen në gjashtë grupe tematike që janë: i. aspektet themelore; ii. tregu i brendshëm; iii. konkurrenca dhe rritja përfshirëse; iv. axhenda e gjelbër dhe konektiviteti i qëndrueshëm; v. burimet, bujqësia dhe kohezioni; vi. marrëdhëniet e jashtme.

Gjithashtu, negociatat do të jenë të hapura në tërësi për secilin grup – pasi të kenë përmbushur standardet e hapjes – dhe jo mbi baza individuale të kapitullit. Negociatat mbi aspektet themelore do të hapen të parat dhe do të mbyllen të fundit, dhe procesi lidhur me to do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.

  • Një proces më i parashikueshëm. Komisioni do të sigurojë një qartësi më të madhe në lidhje me atë çka BE –ja pret nga vendet e zgjerimit në fazat e ndryshme të procesit, duke bërë më të qartë se çfarë pasojash pozitive mund të sjellë progresi në reforma dhe çfarë pasojash negative mungesa e tij.. Negociatat mund të pezullohen në fusha të caktuara, ose në raste më të rënda, të pezullohen totalisht, dhe kapitujt tashmë të mbyllur mund të ri-hapen.
  •  
  • Si ka performuar Shqipëria në përmbushjen e këtyre kritereve deri më sot?

Që prej fillimit të procesit të anëtarësimit Shqipëria ka bërë hapa përpara për përmbushjen e secilit prej tyre, por nga ana tjetër një sërë fushash kyçe mbeten ende për tu përmbushur, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me kriteret politike. Ka mangësi edhe në kriteret ekonomike dhe pak më pak në ato ligjore.

Kështu, fushat kryesore ku Shqipëria çalon kanë të bëjnë kryesisht me demokracinë, dhe shteti i së drejtës, sistemi zgjedhor, reforma në drejtësi dhe administratën publike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të drejtat e njeriut si liria e shprehjes, mosdiskriminimi, etj.  

Kriteret kyçe deri në hapjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare

Fushat dhe kriteret ku Shqipëria ende ka mangësi janë të përmbledhura jo vetëm në Raportin e Vlerësimit të Komisionit, por edhe në vendimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të marsit të këtij viti.

Vendimi në fjalë i Këshillit u parapri nga vendimi i Bundestagut gjerman, shtatorin e kaluar, që miratoi një rezolutë që lejon qeverinë të mbështesë bisedimet e pranimit me Shqipërinë, duke renditur njëkohësisht kushtet e kërkuara për konferencën e parë dhe të dytë ndërqeveritare.  

Kushtet e Këshillit Evropian për hapjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare përmblidhen si më poshtë:

  • Reforma zgjedhore: Shqipëria duhet të miratojë dhe zbatojë reformën zgjedhore plotësisht në përputhje me rekomandimet e OSBE /ODHIR, duke siguruar financimin transparent të partive politike dhe fushatave zgjedhore.
  • Reforma në drejtësi: Shqipëria duhet të sigurojë zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, duke përfshirë sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe të finalizojë ngritjen e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, kërkohet fillimi i procedurave penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjelle penale gjatë procesit të vettingut si dhe regjistrimi i procedimeve në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë zyrtarët e lartë dhe politikanët.
  • Lufta kundër korrupsionit: Një tjetër pjesë kryesore e reformës gjyqësore e cila filloi në 2016 ishte krijimi i Strukturës Speciale Anti-korrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila përbëhet nga Zyra e Prokurorisë Speciale dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, (BKH). Aktualisht SPAK ka 13 nga 15 prokurorë, ndërsa BKH-ja është ende në fazën e rekrutimit të anëtarëve, ndërsa është emëruar drejtuesi i tij. Procesi i shqyrtimit të kandidatëve (screening) aktualisht është duke vazhduar.
  • Lufta kundër krimit të organizuar: Shqipëria duhet të forcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë nëpërmjet bashkëpunimin me Shtetet Anëtare të BE dhe Planit të Veprimit për të adresuar rekomandimet e Task Forcës së Veprimit. 
  • Reforma në administratën publike: Pjesa tjetër e kushteve të përcaktuara nga Këshilli kanë të bëjnë me përpjekjet e reformës për një kohë të gjatë, duke përfshirë arritjen e progresit të prekshëm në lidhje me reformën e administratës publike./rtsh

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.