​Rama: Manovrat ushtarake të Serbisë janë teatër i rrezikshëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka quajtur teatrale manovrat ushtarake të Serbisë pranë kufirit verior të Kosovës. Të njëjtat, sipas tij nuk i mbrojnë serbët lokal, por vetëm nxisin nacionalizmin serb dhe fantazitë e ushtrisë së tyre të mundur para 21 vjetësh.

Ai tha se nuk ka biseduar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, pas tensionimit të situatës në veri, pasi theksoi se është legjitime vendimi i Kosovës për reciprocitet të targave të përkohshme ndaj automjeteve serbe, por duhet gjendur zgjidhja që kjo mos të mbetet pikë konflikti. Pavarësisht këtyre, Rama tha se është edhe më i bindur se iniciativa e “Ballkanit të Hapur” është rruga e duhur rajonale. 

Në konferencën për medie, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kreu qeveritar në Shqipëri tha se këto manovra teatrale janë edhe të rrezikshme.

“Është për të ardhur keq që në vend të përparimit konkret të dialogut drejtë njohjes reciproke dhe çlirimit përfundimtar nga e shkuara, sot jemi dëshmitar të manovrave ushtarake teatrale të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Ato manovra nuk mbrojnë qytetarët serb në veriun e Kosovës, sikur pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje edhe disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur në fushën e luftës, më shumë se 20 vjet më parë, sikur kanë dal nga varri me pretendimin që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serb në Kosovë. Ata jetojnë pa kërcënuar nga askush, madje iu paguhen edhe faturat e energjisë elektrike nga ky shtet këtu, si askujt askund në botë. Fatkeqësisht ato manovra sjellin në skenë hije të shkuarës dhe nxisin nacionalizmin vandal të zjarrvënësve[…]Nuk kam pasur një bisedë me presidentin Vuçiq, apo siç shpesh herë miqtë e mirë kosovar në rrjetet sociale thonë me vëllain tim Vuçiq sepse këtu nuk ka asgjë për të negociuar, këtu e drejta është me Kosovën dhe kaq. Kjo është shumë e qartë. Ne jemi absolutisht në krah të Kosovës, siç është i gjithë komunitetit ndërkombëtar. Pra leximi i dërgimit të Njësisë Speciale për të bërë teatër me helikopter dhe aeroplan në Serbi është leximi më i gabuar. Parafytyroni në një moment sikur largqoftë të kishte ndodhur diçka në kushtet kur po sprovohej qëndrueshmëria e shtetit[…]Çka do ambasadori rus aty, imagjinoni sikur ambasadori amerikan të shkonte në kufij dhe të shikonte Njësitë Speciale. Natyrisht ky është një teatër, por është teatër i rrezikshëm”, tha ai.


Duke i dal në krah institucioneve kosovare për vendimin për reciprocitet, Rama tha se kjo çështje nuk duhet të kthehet problem për Kosovën dhe vet partnerëve ndërkombëtar.

“Aplikimi i reciprocitetit të targave të përkohshme është një normë ndërkombëtare elementare legjitime e Kosovës, por edhe një marrëveshje e arritur me kohë mes dy qeverive respektive. Dua të them edhe këtu sot, qëndrimin e Shqipërisë qysh nga çasti  i parë që është shfaqur në publik, e drejta këtu është me Kosovën dhe pikë, nuk është me Serbinë. Serbia nuk ka asnjë drejtë që t’i kthejë targat e automjeteve në një përditshmëri konfliktuale, ku mizën e bënë buall, athua që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë, e në fakt po e kërkon zbatimin e një marrëveshje reciprokisht të dakordësuar. Nga ana tjetër, tanimë që problemi është shtruar dhe askush nga miqtë ndërkombëtar të Kosovës nuk e diskuton domosdoshmërinë e reciprocitetit në targat e përkohshme, por mos të kthehet në një problem në vet Kosovës dhe miqve ndërkombëtar. Tani problemi duhet të zgjidhet me dialog dhe kjo duhet të ndodh duke shmangur ngrirjen e konfliktit në këtë pikë, ku demonstrimin e forcave ushtarake duhet t’ia lejmë vendin demonstrimin e forcës së arsyes dhe argumenteve në rrafshin diplomatik”, shtoi Rama.

Megjithëse e akuzoi Serbinë për manovrat ushtarake pranë kufirit me shtetin e Kosovës, Rama tha se tanimë është edhe më i bindur se iniciativa “Ballkani i Hapur” është rruga e duhur rajonale.

Ani pse tha ka mospajtim me palën kosovare për këtë çështje,  por, sipas tij kjo nuk ndikon në marrëdhëniet e tij me kryeministrin Kurti. 

“Tani jam edhe më i bindur se sa që isha që “Ballkani i Hapur” është rruga jonë. Kur them rruga jonë, them për rrugën tonë të  përbashkët, por ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit dhe patriotizmit. Nacionalizmi do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi do të thotë të shohësh vetën mirë. Natyrisht  se kemi një mos dakordësi në këtë pikë me Albinin, por kjo është politike dhe duhet të trajtojmë si të tillë. marrëdhëniet tona nuk ndikohen në shëndetin e tyre nëse ka një mos dakordësi të tillë”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.