​Rama dhe Erdogan dorëzojnë çelësat e 522 banesave për të prekurit nga tërmeti

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dorëzuan çelsat e apartamenteve në Laç për familjet që ishin prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Zona 1 e lagjes së re në Laç, projekti i financuar nga Turqia, ka 522 apartamente, 13 banesa kolektive dhe 26 hyrje pallatesh. Pjesë e lagjes së re janë edhe 25 njësi shërbimi, 380 vende parkimi, një qendër tregtare me 12 njësi shërbimi, një kënd lojërash dhe hapësira të gjelbra. Kostoja e këtij projekti ka qenë rreth 42 milionë euro.

Gjatë ceremonisë, presidenti turk u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit” me motivacionin për solidaritetin e ndihmën në ditët më të vështira për Kurbinin dhe kontributin e jashtëzakonshëm në procesin e rindërtimit. Gjithashtu, nga sot, sheshi i lagjes së re, në qytetin e Laçit do të mbajë emrin e Erdoganit, në shenjë mirënjohje dhe respekti për mbështetjen në procesin e rindërtimit pas tërmetit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një fjalë rasti tregoi miqësinë e ngushtë me presidentin Erdogan, për më tepër e cilësoi si mik të madh të Shqipërisë. Rama u shpreh se presidenti turk mban fjalën dhe e dëshmon me vepra fjalën vëllazëri.

“Kam takuar thuajse të gjithë këta burrat e mëdhenj të shteteve për shkak të detyrës dhe është e vërtetë që shpeshherë janë kuriozë ‘ç‘është kjo miqësi kaq e ngushtë e imja me presidentin e Turqisë, dhe zakonisht priren ta shohin këtë si një çështje konspiracioni. ‘Jo po Turqia Neotomane, jo xhamitë, jo aspiratat e presidentit etj etj’. Kurse përgjigja ime është shumë e thjeshtë ‘Presidenti Erdogan thotë atë që bën dhe bën atë që thotë’. […] Këtu mund të shikohet se çfarë do të thotë presidenti Erdogan kur thotë ‘Shqipërinë e kam në zemër dhe çfarë i dhemb Shqipërisë, më dhemb dhe mua’. […] Kuptimi që ai i jep me vepra, jo vetëm me fjalë, fjalës vëllazëri është mishërimi i asaj që thotë profeti Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të, ‘Asnjë nga ju nuk beson nëse nuk dëshiron për vëllain e vet të njëjtën gjë që dëshiron për veten e vet’”, deklaroi Rama.


Ndërkohë, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë fjalës së tij deklaroi se tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri lëndoi zemrat e tyre njëjtë sikurse zemrat e popullit shqiptar, prandaj kishin vendosur të ndihmonin.

Sipas tij, përkundër fatkeqësive natyrore që kanë goditur Turqinë, ishin të vendosur që të ndërtonin këto banesa për banorët e Laçit.

“Para 13 muajsh, pikërisht në këtë vend ku jemi sot, bëmë ceremoninë e hedhjes së themeleve të banesave, pikërisht këtu, ku jemi në një lidhje direkte dhe sot po i dorëzojmë këto banesa, që janë gjithsej 522 njësi banimi që kanë kushtuar afërsisht 42 milionë euro. […] Ajo që dua të theksoj është parim besimi, i cili, shenja e vëllazërisë nuk është kur ti të vish kur të thërrasë, por të qëndrosh pranë vëllait tënd kur ai ka nevojë. E pikërisht ne, tani e tutje do vazhdojmë t’ju qëndrojmë pranë. Shpresoj që kjo miqësi me baza kaq të forta, do të vazhdojë deri në pafundësi. Të jesh me vëllain në kohë të mira e të vështira, është një nga këto vlera, të cilat i përmenda pak më lartë”, deklaroi Erdogan.

Presidenti turk Erdogan përmendi edhe projektet e tjera të realizuara ndër vite në Shqipëri. Gjatë vizitës së tij zyrtare, ai do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët me Ramën si dhe do t’i adresohet deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.