​Radakoviq: Shumë shpejt do të fillojë faturimi i energjisë elektrike në veri

​Radakoviq: Shumë shpejt do të fillojë faturimi i energjisë elektrike në veri

Dushan Radakoviq, drejtor ekzekutiv i Qendrës ACDC për Avokimin e Kulturës Demokratike, ka thënë për KosovaPress se shumë shpejt do të arrihet marrëveshja për energjinë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se në veri të Kosovës do të fillojë faturimi i energjisë elektrike, derisa ka shtuat se sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, qytetarët serbë janë të ndarë.

Marrëveshja për energjinë është nënshkruar në vitin 2013 dhe nuk është realizuar deri më sot, dhe qytetarët në veri të Kosovës nuk e kanë paguar rrymën e shpenzuar për dy dekada.

Edhe pse ende nuk është nënshkruar marrëveshja, Radakoviq beson se shumë shpejt do të vijë deri tek nënshkrimi, por edhe tek pagesa e rrymës.

“Ajo që mora ishte informacioni se marrëveshja është pothuajse gati, vetëm po prisnim zgjedhjet që të nënshkruhej, nuk e di nëse mosorganizimi i zgjedhjeve në Kosovë do ta shtyjë procesin e nënshkrimit. Ajo që di është se Qeveria e Kosovës ka kohë që paguan rrymën për veriun, kështu që njerëzit e veriut, unë personalisht nuk kam marrë asnjë faturë nga EPS, e cila lëshon faturat, kështu që mendoj se shumë shpejt marrëveshja do të jetë dhe do të fillojë faturimi, dhe si do të jetë për pjesën tjetër nëse njerëzit do të paguajnë ndonjë paushal, nëse do të jetë një marrëveshje me Beogradin që dërgon rrymë në Kosovë për të bërë pagesën apo çfarë nuk e di, kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes, këtë ndoshta vetëm një numër i vogël i njerëzve mund ta dijë, andaj presim që në dy-tre muajt e ardhshëm të fillojë faturimi i energjisë elektrike”, thotë Dushan Radakoviq.

Radakoviq thekson se marrëveshja e përkohshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për targat duhet të zëvendësohet me një zgjidhje përfundimtare. Grupet punuese të formuara gjashtë muaj më parë, në të cilat përfshihen përfaqësues të Beogradit, Prishtinës dhe Bashkimit Evropian, më së voni deri të enjten është dashur të paraqesin një zgjidhje të përhershme për targat, të bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së.


Ai nuk sheh zgjidhje të menjëhershme dhe beson se pala kosovare nuk dëshiron të ketë zgjidhje me stikersa.

“Kam frikë se nuk shoh zgjidhje për momentin, sepse mendoj se pala kosovare nuk dëshiron të ketë zgjidhje me stikersa, pala serbe po e shtyn këtë këtë zgjidhje me stikersa, kështu që kemi një ngërç. Kam dëgjuar gjashtë, shtatë, tetë opsione të ndryshme për të gjetur zgjidhje, të cilat do duheshin të ishin pjesë e gjithë kësaj, por gjithsesi ajo që di është se nuk ka zgjidhje. Kanë marrëveshje për ca gjëra të tjera, për rrymën, diçka për të zhdukurit, për stikersat nuk ka arritur deri tek ndonjë nivel. Mendoj se zgjedhjet në Serbi e ngadalësuan pak procesin. Nuk besoj se do të ketë masa reciproke për ta pasur sërish ROSU-në në veri, rreth kufijve etj. Por për të pasur një zgjidhje, jo për momentin. Me 21 prill, nëse nuk gaboj, skadon ajo marrëveshje, ndoshta edhe për atë ditë i kanë caktuar negociatat, por më 21 prill skadon edhe  marrëveshja gjashtëmujore për stikersa”, thekson Radakoviq.

Ai flet edhe për luftën në Ukrainë, e cila po zgjatë më shumë se pesëdhjetë ditë.

“Është një ndarje e madhe për të qenë i sinqertë. Sa i përket veriut, ka shumë më tepër mbështetje për Rusinë sesa për Ukrainën. Sa për jugun e Ibrit, ka shumë më tepër mbështetje për Ukrainën sesa për Rusinë. Sigurisht, mbështetje për Serbët dhe mbështetja për shqiptarët monitorohet nga afër. E gjithë bota reflekton në këtë, por ne gjithashtu shohim përmes çmimeve dhe përmes jetës dhe përmes sigurisë, përmes gjithçkaje. Është duke u përcjellë nga afër dhe mendoj se është një nga temat që përcillet më së shumti, e cila është duke u përcjellë çdo ditë në lajme, sepse formëson jetën e të gjithë neve që jetojmë këtu”, thotë ai.

I pyetur nëse është e vërtetë që shqiptarët po shesin shtëpitë në vendbanimin boshnjak në veri të Kosovës, Radakoviq theksoi se kjo është hera e parë që dëgjojnë diçka të tillë dhe se nuk ka probleme të mëdha mes serbëve dhe shqiptarëve në atë zonë që të vijë puna deri tek jo.

“Kjo është hera e parë që e dëgjoj të them të drejtën, këtu jetojnë një numër i madh i shqiptarëve pa probleme të mëdha, Mitrovica është qytet multietnik, shqiptarët vijnë çdo ditë në veri për të blerë lirisht pa asnjë incident, pa asnjë problem. Sinqerisht nuk kam dëgjuar që ndonjë shqiptar të shesë shtëpi”, thotë ai.

Lexo edhe

Video