Numri i rasteve sociale në qytetin e Mitrovicës është shumë i lartë, ndërsa papunësia dhe mungesa e zhvillimit të industrisë në këtë qytet, janë ndër shkaqet kryesore për gjendjen e rëndë socio-ekonomike.
Sipas informatave zyrtare, në Komunën e Mitrovicës janë gjithsej 2 mijë e 131 familje përfitues të skemës së ndihmës sociale.
Drejtoresha e Drejtorisë për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale në Mitrovicë, Drita Ibrahimi, ka bërë të ditur për KosovaPress se gjendja socio-ekonomike në këtë komunë është mjaft e rëndë si rezultat i papunësisë dhe mungesës së zhvillimit të industrisë.

Sociologu Ramadan Beshiri konsideron se Mitrovica vjen nga një ekonomi shumë e fuqishme para luftës, dhe ndryshimi i madh që ka ndodhur nga paslufta në këtë qytet, ka ndikuar në nivelin social të popullsisë.
Ai shtoi se edhe problemi politik në këtë qytet ka ndikuar negativisht tek investitorët e huaj, përkatësisht në përkeqësimin e gjendjes sociale të qytetarëve.
Duke potencuar investimet në arsim si sukses krucial, Beshiri ka porositur se gjeneratat e reja duhet të vijnë të arsimuara dhe me ndjenjën e atdhedashurisë.

Ndërkaq, Nysret Maxhera, ekonomist i njohur mitrovicas, gjendjen socio-ekonomike të mitrovicasve e përshkruan të rëndë, madje me mundësi të përkeqësimit, si pasojë e faktorëve politikë e ekonomikë.
Sipas tij, papunësia në Mitrovicë vjen si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik, përkatësisht industrial, kur dihet se ky qytet në të kaluarën është shquar me industrinë e saj.
Ai ka përmendur edhe mungesën e investimeve, aktivizimin e kapaciteteve ekzistuese, si faktorë që kanë ndikuar në gjendjen e rëndë për mitrovicasit.
Maxhera, zgjidhjen e kësaj gjendje të rëndë, e sheh duke propozuar që të gjitha strukturat udhëheqëse të vendit të orientohen në zhvillimin industrial duke shfrytëzuar paratë që janë tepricë.

Ai tha se rreth 4-5 miliardë euro janë kursime të qytetarëve të Kosovës nëpër banka dhe ato (bankat) duhet të jenë tashmë bartëse të kreditimit dhe zhvillimit të ekonomisë kosovare, në mënyrë që mjetet të kthehen dhe të multiplikohen në zhvillimin industrial të ekonomisë së Kosovës.
Ndryshe, statistikat tregojnë se rajonet më të prekura, ose me numrin më të lartë të rasteve që përfitojnë nga skema sociale janë rajoni i Mitrovicës, i pasuar nga rajoni i Prishtinës dhe ai i Ferizajt.