​Qeveria thellon bashkëpunimin me Shqipërinë dhe mbulon sërish polisat kufitare për mërgatën

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi miratoi dy projektligje që thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë në tregun e mallrave dhe atë të punës. Kabineti qeveritar ndau rreth 3 milionë euro për mbulimin e serishëm të policave kufitare për diasporën dhe vazhdoi shtesat prej 10 për qind të pagës bazë për personelin shëndetësor. Ndërkohë, miratuan strategjinë kombëtare për dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave 2022-2026 dhe emëruan bordin e drejtorëve në Postën e Kosovës.

Pas mbledhjes së ekzekutivit në një konferencë për medie, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati, tha se Kosova partner kryesor tregtar e konsideron Shqipërinë.

Përmes ratifikimit në Kuvend të dy marrëveshjeve me Shqipërinë, Murati  tha se do të zbatohen lehtësirat doganore dhe kontrollit të hyrjes-daljes së mallrave të dy shteteve.

Madje, sipas tij do të ketë edhe një zyre doganore të Kosovës në zonën doganore në portin e Durrësit dhe Porto-Romanos. Nga ana tjetër, tha se marrëveshja për sigurimet shoqërore do të lehtësojë tregun e punës të shtetasve të dy shteteve.

“Bëhet fjalë për marrëveshjet që kemi nënshkruar me Qeverinë e Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët që kishim vitin e kaluar. E para ka të bëjë me lehtësimet doganore dhe lehtësimin e tregtisë në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Natyrshëm se shteti i Shqipërisë është partneri ynë kryesor tregtar dhe synojmë që këmbimi tregtar mes dy vendeve tona të jenë në nivelin më të lartë. Në shërbim të kësaj kemi edhe marrëveshjen që për herë të parë bëhet diçka konkrete e nivelit të tillë. Më tutje përveç lehtësimit të lëvizjes së mallrave ne të kaluarën kemi mundësuar edhe lehtësimin e lëvizjes edhe të fuqisë punëtore. Pra edhe të njerëzve që duan të punojnë nga Kosova në Shqipëri ose nga Shqipëri në Kosovë. Kësaj ja kemi shtuar edhe marrëveshjen për sigurimet shoqërore. Një i punësuar duhet të sigurohemi që edhe kontributet pensionale që i paguhen në Shqipëri apo Kosovë t’iu njihet anasjelltas pavarësisht ku jetojnë. Me këtë marrëveshje synohet që të arrihet dhe kompletohet edhe integrimi i tregut të punës përveç integrimit të tregut të mallrave”, tha ai.

Për vazhdimin e mbulimit të primit të policave kufitare për mërgatën, ministri Murati tha se i njëjti do të vazhdojë deri kur të gjendet një zgjidhje e përhershme. Lidhur me këtë, ai bëri të ditur se do të ketë edhe ndryshim në procedurën e rimburësimit.

Sa i përket vazhdimit të shtesave për personelin shëndetësor, shefi i kuletës së shtetit tha se do të jetë derisa të hynë në fuqi Projektligjit për paga.


“Kishim edhe dy vendime të tjera që janë vazhdimësi e pakos së ringjalljes ekonomike. Më saktësisht është vendimi për shtesat për personelin shëndetësor, pra prej 10 për qind, i cili kishte qenë për vitin e fundit fiskal. Tani që kemi ligjin për ndarjet buxhetore të ri e kemi vazhduar edhe për gjashtë muaj të tjerë. Apo deri në hyrjen në fuqi të ligjit të pagave, ku pritet që ky sektor të merr trajtimin e miratuar. Propozimi  tjetër kishte të bënte edhe për vazhdimin për mbulimin e primit të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë që është vazhdim deri në rregullimin e kësaj çështje që po punohet në vazhdimësi[…]sa i përket mbulimit synojmë të ndryshojmë në procedurë dhe të kemi një rimburësim përmes një formulari”, shtoi ai.

Strategjia kombëtare për dhunën në familje dhe ndaj grave, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të përmirësojë dukshëm parandalimin e dhunës ndaj të njëjtave.

“Strategjia adreson parandalimin dhe identifikimin e dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe dhunës në baza  gjinore. Avancimi dhe harmonizimin e politikave publike me standarde ndërkombëtare. Fuqizimi institucional dhe kjo padyshim që është e rëndësishme. Po ashtu edhe sigurimi i shërbimeve të përgjithshme dhe atyre mbështetëse për viktimat[…]strategjia që miratuan në qeveri nuk duhet ta ketë fatin edhe të strategjive të tjera që kanë mbetur në sirtarët e institucioneve. Prandaj MD është përgjegjësi që të bëhet monitorimi i kësaj strategjie. Jam shumë e bindur se situata në Kosovë do të ndryshojë për së mbari pas miratimit të kësaj strategjie. Do të rritet vigjilenca e institucioneve, policisë dhe prokurorisë. Por edhe gjykatave në raport në rastet e dhunës në familje”, tha ajo në konferencën për medie, pas mbledhjes së qeverisë.

Në mbledhjen e sotme qeveria emëroi edhe bordin e ri të Postës.

Emërimin e ri të bordit të Postës e mirëpriti kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh optimist se do të rritet transparenca dhe efikasiteti i kësaj ndërmarrje publike.

“Marrë parasysh rëndësinë e funksionalizimit të plotë të bordit të Postës, propozoj të emërohen për drejtor në bordin e ndërmarrjes publike qendrore Posta e Kosovës, këta kandidat. Fadil Bejta Kryesues, Safije Beseni anëtare, Hyremet Medyti, Sebahate Krasniqi anëtarë Visar Nura dhe Gëzim Paci. Besojmë që kjo përbërje është e plotë si nga fusha profesionale ashtu edhe nga përfaqësimi gjinor, pra kemi tre gra dhe tre burra. Presim që këta kandidatë për anëtar të bordit të rrisin performancën e bordit dhe ta bëjnë ndërmarrje të suksesshëm. Mandati i të emëruarve zgjatë tre vjet”, tha Kurti.

Në mbledhjen e sotme, qeveria mori vendim për emërimin e komisionit shtetëror për hulumtimin, regjistrimin,  inventarizimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës se vitit 1998/1999.

Ndërkohë, miratuan edhe planin strategjik dhe operacional të Qeverisë 2022-2025 dhe  Komisionin Ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional kundrejt nevojave të tregut.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.