​Qeveria miraton një sërë projektligjesh dhe ndan 1.7 milionë euro për kompensim të dëmeve në bujqësi

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar një varg projektligjesh. Ekzekutivi i dha dritën e gjelbër, projektligjeve që prekin dikasterin e bujqësisë dhe Ministrinë e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë. Krahas kësaj, qeveria ndau 1.7 milionë euro si kompensim i dëmeve nga fatkeqësitë natyrorë në bujqësi, derisa miratoi edhe nismat për negocimin e marrëveshjeve për përfshirje të Kosovës në programe multilaterale. Në mbledhjen e qeverisë, po ashtu u bë e ditur se ekzekutivi ka përmbushur 43.75% të planit kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) për periudhën korrik-shtator 2021.

Në arsyetimin e vendimit për ndarje 1.7 milionë euro ndaj fermerëve si kompensim i dëmeve të shkaktuara në bujqësi, ministri, Faton Peci tha se kjo do t’i mbulojë mbi 36 përqind të dëmeve.

“Për mbështetje financiare në vlerë 1.7 milionë euro ndaj fermerëve për mbulimin e dëmeve të shkaktuara në fushën e bujqësisë për periudhën janar-nëntor 2021. Evidentimi i këtyre dëmeve është bërë nga komunat përmes komisioneve komunale, rastet të caktuara kemi pasur edhe komisione të përbashkëta…Prej 1.7 milionë euro do t’iu kompensohen dëmet në vlerë prej 36.7 përqind e vlerës së dëmeve, për dallim nga vitet paraprake ku kjo vlerë ka qenë 25 për qind”, tha ai.

Miratimin e Projektligjit për turizëm, kreu qeveritar e konsideroi si rrugë përpara për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Kosovë.

“Ky projektligj i hap rrugë zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Kosovë, duke përcaktuar qartë përgjegjësitë e institucioneve publike dhe subjekteve që ofrojnë shërbime turistike. Po ashtu do të mbrojë turistët dhe do të përsos imazhin turistik të vendit tonë”, tha ai.

Ndërsa, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se miratimi i projektligjit për markat tregtare dhe projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare e përmbushin agjendën e reformave të BE-së.

“Projektligji për sekrete tregtare është në njërën nga pesë projektligjet e reformës në këtë fushë që do të harmonizojë ligjet vendore me ato të BE-së”, tha ajo.


Ministrja Hajdari dha edhe arsyet e shfuqizimit të vendimit për vazhdimin e mandatit të kryeinspektorit, Lulzim Syla.

“Zotëri Syla nuk mund të quhet i emëruar si për herë të parë sipas Ligjit të shërbimit civil sepse ai është emëruar dy herë në bazë të atij ligji. Në vitin 2014 dhe 2018. Nga kjo rrjedh se vendimi i datës 26 shkurt të vitit 2021 i ka vazhduar mandatin zotëri Sylës në kundërshtim me nenin 42 paragrafi 4 në Ligjit për zyrtarët publik dhe nenin 26 të rregullores”, shtoi ajo.

Në mbledhjen e sotme, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi informoi edhe kabinetin qeveritar për zbatimin e planit kombëtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) për periudhën korrik-shtator 2021.

“Sa i përket tremujorit të tretë shkalla e zbatueshmërisë është 43.75 përqind, nga 64 masa sa kanë qenë të planifikuara për këtë periudhë janë zbatuar 28 sosh, ndërsa 36 janë në zbatim e sipër, disa me vonesa”, deklaroi Bislimi.

Në mbledhjen e sotme qeveria miratoi edhe projektligjin për ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë garanti për kontroll të shitjeve te armëve ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

Po ashtu edhe plotësim-ndryshimin e 18 ligjeve që prekin dikasterin e Bujqësisë për t’i përshtatur me Ligjin për kundërvajtje.

Krahas këtyre, ekzekutivi miratoi edhe një marrëveshje ndërkombëtare në vlerë 25.5 milionë euro për përmirësimin e rrjetit të transmisionit të energjisë.

Lexo edhe

Video

error: