​Qeveria i kërkon Kuvendit vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji

​Qeveria i kërkon Kuvendit vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji

Qeveria ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar vendimin për vazhdimin e masave emergjente të furnizimit me energji. Përmes këtij vendimi, Qeveria i propozon Kuvendit të Kosovës, zgjatjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, me qëllim të normalizimit të plotë të gjendjes në nivel të shtrirjes dhe kohëzgjatjes së nevojshme.

Sipas ekzekutivit, zgjatja e këtyre masave bëhet për shkak të rritjes se kërkesës për energji dhe gjendjes jostabile të furnizimit me energji elektrike.

“Mungesa e energjisë, vjen si pasojë e vjetërsisë së kapaciteteve aktuale gjeneruese, investimet parciale në këtë sektor dhe rritja e vazhdueshme e konsumit. Kjo shtron nevojën emergjente të zgjatjes së masave për 30 ditë, për shkak të nevojave që mund të paraqiten nga pasojat e krizës energjetike ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Qeveria kishte marrë vendim për shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë më 1 gusht të këtij viti dhe ishin miratuar pas tri ditësh në Kuvend të Kosovës dhe afati i tyre ishte përcaktuar fillimisht 60 ditë me mundësi vazhdimi.

Kuvendi mund të vazhdojë këtë afat për periudha të njëpasnjëshme prej 30 ditësh me shumicë votash të deputetëve të Kuvendit të pranishëm në seancë, deri në 180 ditë.

Qeveria u arsyetua se mori masat e shtyrë nga gjendja botërore energjetike si rritja e shpejtë e çmimit të importit të energjisë si dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane që mund të ndikojë në rritjen e mëtejme të çmimit të importit.

Masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik dhe masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet.

Javën e kaluar, me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, ekzekutivi mori vendim për masa detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike.

Duke u bazuar në krizën energjetike botërore, e cila ka rënduar edhe situatën energjetike në vend, si dhe kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike vendore, Komiteti Teknik Emergjent i cili përshin përfaqësues nga të gjitha institucionet relevante të energjisë, ka rekomanduar një numër të masave për kursim të energjisë për të ndikuar në ulje të kërkesës për energji elektrike në vend.

Masat e marra obligojnë të gjitha institucionet publike qendrore e lokale, si dhe të gjitha ndërmarrjet publike që të jenë racional në konsum të energjisë, me fokus të veçantë tek ngrohja dhe ndriçimi.

Masat kursyese janë:

A. Masat detyruese për kursim të energjisë në institucione të nivelit qendror, lokal dhe ndërmarrje publike

1. Të zëvendësohen poçet standard në poçe LED në të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe lokal si dhe në ndërmarrjet publike.

2. Të ndalet ngrohja në ato zyre apo objekte ku nuk ka prezencë fizike, si dhe në të gjitha korridoret.

3. Të ndalet ngrohja e ujit në objektet e institucioneve publike (ndalimi i përdorimit të bojlerëve), përveç në institucione si spitalet dhe entitetet e ngjashme, ku uji i ngrohtë është i domosdoshëm.

4. Në rastet ku uji i ngrohtë është i domosdoshëm, obligohen institucionet e nivelit qendror dhe lokal, si dhe ndërmarrjet publike të bëjnë mirëmbajtjen dhe pastrimin/ ndërrimin e ngrohësve të ujit.

5. Të ndalen pajisjet elektrike (pajisjet e teknologjisë informative, etj.), në rastet kur nuk përdoren për një periudhë më të gjatë se 10 minuta.

6. Të ndalohet përdorimi i klimave (kondicionerëve), përveç në rastet kur nuk ka alternativa tjera për ngrohje.


7. Të ndalohet përdorimi i ngrohësve omik (ngrohësve me energji elektrike).

8. Të mos përdoret ndriçim në hapësira të brendshme dhe zyrat e objekteve publike gjatë periudhës kur ka dritë të mjaftueshme natyrore.

9. Të ndalet çdo billboard apo reklamë që shfrytëzon energjinë elektrike.

10. Të ndalet ndriçimi dekorativ në të gjitha objektet.

11. Aty ku është e mundshme të instalohen sisteme inteligjente për menaxhimin e konsumit të energjisë (si dritat me senzorë, valvulat termostatike, etj).

12. Objektet të cilat ngrohen përmes sistemeve të ngrohjes qendrore të funksionalizojnë potencialin e ngrohjes maksimalisht në dimër, duke ndërmarrë hapa të mirëmbajtjes dhe pastrimit të sistemit.

13. Të bëhet sanimi i rrjedhjeve të ujit për zvogëlimin e shpenzimit të energjisë elektrike.

14. Zyrtari Kryesor Administrativ i institucionit të nivelit qendror dhe lokal dhe Zyrtari Kryesor Administrativ i ndërmarrjes publike, të caktojë brenda institucionit një person përgjegjës për kursim të energjisë.

15. Personi përgjegjës i caktuar sipas pikës 14 të këtij Vendimi, ka përgjegjësi:

Të ndalë të gjitha dritat dhe pajisjet elektrike pas orës 16:00;

15.2. Të ndalë të gjithë ndriçimin, i cili nuk është i domosdoshëm për siguri fizike të objektit gjatë natës;

15.3. Të sigurohet që gjatë orarit të punës prej orës 08:00 deri në 16:00, temperatura për ngrohjen e hapësirave të jetë jo më shumë se 19 gradë;

15.4. Të sigurohet që pas orës 16:00 deri të nesërmen në ora 07:00 temperatura e ngrohjes të zbritet në minimum (kur ngrohja bëhet me energji elektrike) në rastet kur është e mundshme;

15.5. Të sigurohet që të gjitha dritaret e objektit janë të mbyllura.

B. Masat detyruese për ndriçimin publik

1. Të ndalohet i gjithë ndriçimi publik gjatë periudhës së ditës, kur ka dritë të mjaftueshme natyrore.

2. Të ndalohet i gjithë ndriçimi dekorativ në hapësira publike.

3. Të minimizohet (ndalet çdo e treta llambë) ndriçimi publik në autostrada dhe rrugë regjionale deri në masën e domosdoshme, për aq sa nuk përbën rrezik për sigurinë e qytetarëve dhe funksionimin normal të komunikacionit.

4. Të ndalet ndriçimi në hapësirat e monumenteve historike, lapidarëve dhe muzeve.

Lexo edhe

Video