​Qeveria i hap rrugë themelimit të Institutit për Krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë. Kryeministri Albin Kurti theksoi se vetëm me respektimin e së kaluarës mund të ketë një të ardhme të ndritur.

Ky institutit pritet të dokumentojë dëmet e shkaktuara gjatë luftës në njerëz, komunitet, ambient dhe ekonomi.

“Instituti për Krimet të kryera gjatë Luftës në Kosovë do të themelohet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Dokumentimi i krimeve të kryera gjatë luftës do të jenë në fokus të veprimeve të Zyrës së Kryeministrit. Vetëm me respektimin e duhur të së kaluarës mund të kemi një të ardhshme të ndritur”, theksoi Kurti.

Kurti përsëriti se krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara duhen adresuar pasi janë parakusht për paqe të qëndrueshme.

“Dokumentimi dhe hulumtimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë janë thelb i këtij projektligji. Në të gjitha deklarimet e mia që kam pasur lidhur me këtë temë, kam potencuar që krimet e kryera dhe dëmet e shkaktuara duhen adresuar. Sepse, ato janë parakusht për paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë e zhvillim të mëtutjeshëm të shoqërisë. Një shoqëri që nuk harron sepse e institucionalizon kujtesën dhe që mbi supet e përgjegjësisë institucionale gjen drejtësinë, si parakusht për pajtimin dhe jetesën e dinjitetshme e të përbashkët”, u shpreh Kurti.


Ndërsa, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se projektligji në fjalë përcakton kompetencat dhe përgjegjësit e institutit.

“Ky projektligj po ashtu trajton organizmin dhe funksionimin e Institutit, përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e tij. Po ashtu parashihet që me akte të tjera nënligjore të rregullohet struktura funksionale, sistemi i brendshëm dhe personat përgjegjës që do të jenë në kuadër të këtij Instituti. Duke pasur parasysh rëndësinë që ka ky projektligj, ju ftoj për miratim”, theksoi Haxhiu para se te merrte miratimin e të gjithë anëtarëve të pranishëm të kabinetit qeveritar.

Kryeministri në adresimin e tij theksoi se në javën e ardhshme shënohet një vit e gjysmë të qeverisjes demokratike e progresiste.

Ai tha se përmes projektligjeve të miratuara kanë fuqizuar mekanizmat për luftimin e krimit, dhe të korrupsionit nëpërmjet reformës në Këshillin Prokurorial, deklarimin më efikas dhe më transparent të pasurisë, potencimin e rolit parandalues të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe inicimin të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

“Kthesa që kemi marrë drejt zhvillimit të shoqërisë nuk mund të jetë e qëndrueshme pa sundim të ligjit, siguri juridike e zbatim të të drejtave të njeriut. Pra për të jetësuar ndryshimin e mirëfilltë demokratik vetëm theks mbi rendin dhe ligjin, parashikushërminë juridike dhe barazinë. Në vetëm 1/3 të mandatit kemi kaluar mbi 150 projektligje, ndërkaq në gjysmën e parë të këtij viti janë miratuar 87 sosh në Kuvend… Shifrat rekorde korrespondojnë me vullnetin e kontributin ndaj fuqizimit të shtetit mbi parimet më të mira që mbrojnë të drejtat dhe liritë themelore, dhe pamundësojnë shmangien nga zbatimi i ligjit”, theksoi ai.

Ndryshe, Instituti për Krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë ka qenë një nga premtimet e Lëvijes Vetëvendosje në fushatë, së bashku edhe me përgatitjen e padisë ndaj krimit të gjenocidit të Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Lexo edhe

Video

Komentet janë të mbyllura.