​Qeveria formon komisionin që do të themelojë fondin sovran

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për formimin e komisionit për vendosjen e parimeve për themelimin e fondi sovran, premtim ky i kamotshëm i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti ndau 2 milionë euro për bursa për studentë dhe për trajnimet fillestare për maturantët për fushat e teknologjisë informative. Ndërkohë, ndanë edhe 730 mijë euro për vazhdimin e pagesave për specializantët me vetëfinancim për muajt nëntor dhe dhjetor. Krahas këtyre, ekzekutivi miratoi edhe një varg projektligjesh.

Kryeministri Kurti formimin e komisionit e cilësoi si shumë të rëndësishëm për ndërmarrjen e hapave konkret për themelimin dhe funksionalizimin e fondit sovran.

“Në përputhje me zotimin tonë për themelimin e fondit sovran sot po e ndërmarrin një hap për realizimin e atij qëllimi. Pra me synim të menaxhimit të performancës financiare të aseteve strategjike e me qëllim të rritjes së vlerës, ngritjes së performancës dhe sigurimit të një shkalle të lartë të kthimit në investim[…]ky komision me përbërje të tij do të vendos parimet bazë të themelimit të fondit sovran dhe do të propozoj ndërmarrjen e hapave konkret për funksionalizimin e tij”, tha ai.

Në ndarjen e 730 mijë eurove për specializantët, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha tha se ky vendin do të ndikojë pozitivisht në ofrimin e shërbimeve shëndetësore


“Me qëllim të ruajtjes dhe simulimit të stafit shëndetësor, sidomos pas trendit aktual të migrimit të tyre dhe pandeminë  COVID 19, MSH konsideron pagesën e specializantëve me vetëfinancim si çështje me prioritet me vendin. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësor gjithëpërfshirëse”,  tha ajo.

Qeveria, në mbledhjen e sotme miratoi projektligjin për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, Projektligjin për Inspektimet dhe Projektligjin për topografitë e gjysmëpërçuesve.

Ndërkohë u miratua edhe Amendamenti 1 i marrëveshjes financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2017, nga e cila u tha se do të rialokohen  2.3 milionë euro.

Ekzekutivi po ashtu i dha statusin e investitorit strategjik, subjektit investues “Kosmonte Foods Sh.P.K” dhe mori vendimin për shfuqizimin e akteve për eliminimin e barrierave tregtare.

Në mbledhjen e sotme, qeveria mori vendim edhe për nismën për lidhjen e marrëveshjes me Kroacinë për ndihmën e ndërsjellët në rast të fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri.

Lexo edhe

Video