​Qalaj: Policia e Kosovës nuk u lejua të hetojë rastin e dosjeve në OVL-UÇK

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka filluar dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në Hagë në gjykimin ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj. Para trupit gjykues, Qalaj ka thënë se zyrtarët e OVL-UÇK-së kishin kërkuar nga Policia e Kosovës që të hetojë rastin me dokumentet që dërgoheshin nga një person i panjohur në organizatë por Prokuroria Speciale e Kosovës ka thënë se PK nuk mund të merret me këtë rast meqë i njëjti është kompetencë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Qalaj ka thënë se hetuesit e Policisë së Kosovës u janë përgjigjur thirrjes së zyrtarëve të organizatës dhe të njëjtit kanë kontaktuar drejtorin e departamentit për hetime në Policinë e Kosovës, i cili sipas tij, ka kontaktuar me prokurorin e Prokurorisë Speciale në Kosovës i cili i ka thënë se PK nuk mund të hap rast në këtë çështje.

“Hetuesit të cilët kanë qenë në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pasi që u është bërë kërkesë nga zyrtarët e kësaj organizate për hetimin e këtij rasti, për hapjen e rastit, kanë kontaktuar fillimisht nëpërmjet zinxhirit komandues me drejtorin e departamentit për hetime në Policinë e Kosovës i cili pastaj ka kontaktuar me prokurorin e Prokurorisë Specialë të Kosovës i cili ka qenë duke e zëvendësuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale meqenëse ai ka qenë i sëmurë, më duket për shkak të pasojave të COVID-it, dhe nga ai ka marrë përgjigjen që Policia e Kosovës nuk mund të hetojë këtë rast për shkak se ky rast bie në kompetencat e zyrave të specializuara këtu në Hagë”, ka thënë Qalaj.

Qalaj, derisa është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtës të Haradinajt, ka thënë se kjo është hera e parë që ZPS nuk ka pasur asnjë komunikim zyrtar me Policinë e Kosovës.

“Edhe në të kaluarën ka pasur, sidomos në vitet e para të krijimit të Policisë së Kosovës ka pasur raste kur rastet janë hetuar vetëm nga Policia e UNMIK-ut mirëpo në atë kohë Policia e Kosovës nuk ka pasur kapacitete të zhvilluara të merret me rastet sepse ka qenë në formim e sipër mirëpo që nga shpallja e pavarësisë e tutje në të gjitha rastet apo në shumicën e rasteve ka qenë Policia e Kosovës ajo që është marrë me shumicën e rasteve së bashku me kolegët tanë ndërkombëtarë. Dhe kjo është hera e parë që Policia e Kosovës nuk ka pasur as edhe një komunikim të vetëm me Dhomat e Specializuara që janë këtu në Hagë”, ka thënë ai.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se gjatë periudhës që lidhet me dërgimin e dokumenteve në OVL-UÇK apo të sekuestrimit të tyre, ZPS nuk e ka kontaktuar Policinë e Kosovës, përveç në ditën e 25 shtatorit kur i është kërkuar PK-së që të menaxhojë turmën që ishte mbledhur para zyrave të OVL-UÇK.

Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës nuk ka qenë brenda gjatë bastisjes në OVL-UÇK në shtator të vitit 2020, veçse ka bërë sigurimin e jashtëm të ndërtesës, derisa bastisja ishte bërë nga EULEX-i dhe hetuesit e Speciales.

“Gjatë kësaj kohe nuk kam pasur ndonjë kontakt, absolutisht të vetëm, asnjë bisedë telefonike, asnjë komunikim me shkrim mirëpo të vetmin komunikim që më ka thirrur dikush në telefon ka qenë një ditë pasi që është arrestuar zotëri Haradinaj, pra nëse nuk gaboj ka qenë data 26 shtator. Ky është kontakti i vetëm (me ZPS-në) dhe ajo thirrje telefonike ka qenë falënderim për ofrimin e asistencës me datën 25 shtator atëherë kur Policia e Kosovës është angazhuar që të menaxhojë turmën që ishte e mbledhur para zyrave të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së”, ka thënë Qalaj.

Në deklaratën e tij, Qalaj ka thënë se hetuesit e Policisë së Kosovës fillimisht kanë dëgjuar nga mjetet e informimit se në OVL-UÇK një person i panjohur ka dërguar dokumente ku pastaj janë informuar nga zyrtarët e organizatës lidhur me këtë çështje.

Sipas tij, zyrtarët e OVL-UÇK kanë kërkuar që Policia e Kosovës të hetojë këtë rast në mënyrë që të identifikohet personi që i kishte sjellë dosjet.


Ai ka thënë që Policia e Kosovës udhëzimet i ka marrë nga Prokuroria Speciale në Prishtinë dhe se pas njoftimit nga ky institucion se PK nuk mund të merret me rastin, hetuesit e policisë nuk janë marrë me grumbullimin e informatave apo identifikimin e personit.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës i ka marrë udhëzimet më 8 shtator 2020.

Gjithashtu, Qalaj ka bërë të ditur se kontrollimi i kamerave të sigurisë nuk mund të bëhet pa urdhëresë nga gjykata, andaj sipas tij nuk janë ndërmarrë veprime hetuese si shkak i mungesës së autorizimit nga prokuroria.

Gjatë dëshmisë së tij, Qalaj nuk është lejuar të përmend emra por ka shënuar tre të tillë për të cilët ka thënë se janë personat që kanë qenë në OVL-UÇK dhe emri i prokurorit që është caktuar lidhur me këtë rast.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se në takimet e mëparshme që kishte pasur me ndërkombëtarët kishte theksuar se autoritetet në Hagë duhet të angazhojnë Policinë e Kosovës në operacionet brenda vendit meqë e njëjta është profesionale.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Qalaj ka thënë se Nasim Haradinajn nuk e njeh personalisht por vetëm nga fakti që i njëjti është person publik në Kosovë.

Qalaj po dëshmon në Hagë derisa në gjykim po paraqitet çështja e mbrojtjes së Nasim Haradinajt.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.