​PZAP ia anuloi votat, Iniciativa Rome: Vendim antikushtetues

Iniciativa Rome është vënë në qendër të akuzave se fitoi vota falë ndihmës së Listës Serbe. Komunitetet pakicë joserbe u ankuan në PZAP, e më pas edhe në Supreme, se Lista Serbe orkestroi vota për këtë subjekt në mënyrë që të sigurojë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Kosovës për romët.

Mirëpo, përfaqësues të kësaj iniciative, e mohojnë kategorikisht këtë akuzë. Sunaj Garipi deklaroi për KosovaPress se vendimi për të anuluar votat e tyre në disa komuna të Kosovës vetëm pse aty ka më pak qytetarë nga komuniteti rom sesa vota që morën, është antikushtetues dhe racizëm.

Garipi deklaroi se në bazë të afateve kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme dhe presin nga ky institucion të anulojnë vendimin e PZAP-it për anulimin e 830 votave të tyre, ndryshe paralajmërojnë se çështjen do ta dërgojnë edhe në Kushtetuese.

“Jo vetëm vendimi i marrë nga Paneli Zgjedhor i Ankesave, por e gjithë kjo procedurë apelimi, akuzat që morëm, është racizëm i pastër. Ndërsa kur romët votuan për serbët ose për shqiptarët ose ndonjë parti tjetër, atëherë kishte heshtje, kjo ishte në rregull, por nëse dikush tjetër nga një komunitet tjetër voton për komunitetin rom, atëherë kjo është një makth”, deklaroi Garipi.

Garipi i konsideron qëllimkeqe akuzat se ata i morën votat falë ndihmës së Listës Serbe.


Ai përsëriti se Iniciativa Rome është e pavarur dhe se fakti që një serb vendos të mbështesë një rom me votën e tij nuk do të thotë që subjekti i tyre bashkëpunon automatikisht me serbët. Ai është i bindur se ka marrë vota edhe nga shqiptarët, turqit, goranët dhe boshnjakët.

Sipas tij, anulimi i votave në Kllokot për Iniciativën Rome është krejt i pakuptimtë kur një nga kandidate për deputete nga lista e tyre vjen nga një fshat i kësaj komune.

“Ata na akuzojnë se kemi marrë më shumë vota sesa ka romë në komuna të tilla si Ranilug, Partesh dhe Kllokot. Por është vërtet e pakuptimtë të flasësh për këtë sepse kandidatja jonë e cila mori shumë vota, e cila në rast se marrim dy deputetë, është e dyta në numrin e votave individuale, dhe ajo është nga Vërboci në komunën e Kllokotit”, shpjegon Garipi.

Përfaqësuesi i Iniciativës Rome pretendon se vendimi për t’iu anuluar votat nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa është një nga vendimet më skandaloze të këtij institucioni. Ai thotë se do të vazhdojnë të luftojnë për çdo votë.

“Unë jam i bindur për këtë dhe jam i sigurt se qytetarët vullnetarisht na dhanë votat e tyre sepse njerëzit e kuptuan që ka ardhur koha për ndryshim dhe se gjithçka ka marrë fund, dhe unë mund të premtoj se do të luftojmë deri në fund dhe nuk do të lejojmë që të humbasim atë që kishim dhe kemi në duar (votat) dhe do të punojmë për popullin tonë”, përfundoi Garipi.

Me 830 vota më pak, sipas vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa që i hoqi Iniciativës Rome, ky subjekt mbetet akoma në Parlamentin e Kosovës, por me një deputet më pak.

Lexo edhe

Video

error: