​Pushteti nuk mbështet Projektligjin për shëndetësinë të iniciuar nga opozita

​Pushteti nuk mbështet Projektligjin për shëndetësinë të iniciuar nga opozita

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk e mbështet Projektligjin për shëndetësinë të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi i njëjti, sipas pushtetit është afër finalizimit nga Ministria e Shëndetësisë.

Në seancën e sotme të Kuvendit, u debatua edhe për rolin e deputetit në inicimin e ligjeve për miratim në Kuvend. Deputetët opozitarë, kritikuan mazhorancën për arrogancë të numrave dhe cenim të demokracisë  dhe mandat të lirë të të zgjedhurve të popullit.

Iniciuesi i projektligjit, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se i njëjti ka për qëllim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

“Qëllimi i këtij projektligji ka të bëjë me rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, unifikimin e sistemit shëndetësor dhe deri te favorizimi i të arriturave shkencore njerëzore që siguron qëndrueshmëri të sistemit dhe profesionistëve shëndetësor. Prandaj ky ligj është hartuar që të jetë lehtë i zbatueshëm në dobi të qytetarëve tanë”, tha ai.

Mirëpo, deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, shprehu kundërshtimin ndaj këtij projektligji, pasi tha se i njëjti është në agjendën legjislative të Qeverisë Kurti.

Ajo kritikoi edhe partitë opozitare, pasi sipas saj, ato kanë pasur rastin të miratojnë projektligjin sa kanë qenë në pushtet, mirëpo nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Ligji për shëndetësi tashmë është në përfundim në Ministrinë e Shëndetësisë dhe pritet të procedohet në Kuvendin e Kosovës. Është e qartë që qeveritë e mëhershëm kanë pasur rastin, sidomos propozuesi që të procedojë në Kuvend të njëjtën, por nuk ka ndodhur. Kjo nuk është e pritshme që një qeveri e re të vazhdojë me politika të vjetra”, tha ajo.

Kjo qasje, sipas deputetit të LDK-së, Driton Selmanaj, është cenim i demokracisë dhe mandatit të lirë të deputetit për iniciativa ligjore.


“Kjo shumicë parlamentare po dëshiron të tregojë arrogancën e numrave. Mund ta bëni këtë, keni vota. Por unë mendoj se kjo nuk është demokratike fare. Nëse nuk keni vërejtje me përmbajtjen e projektligjeve dhe dilni lexoni pamflete politike të një dikasteri tjetër, unë iu them se po e mbytni demokracinë dhe mandatin e lirë të deputetit për iniciativa ligjore”, tha ai.  

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila  tha se e drejta ligjore për të iniciuar ligje nuk guxon t’i merret deputetëve.

“E drejta ligjore nuk guxon t’i merret deputetëve, pa dallim partie apo grupi parlamentar. Andaj, mendoj njësojë se çdo nismë ligjore që ka qenë e pa përkrahur nga mazhoranca, nuk është e ndershme”, shtoi ajo.

Përkrahje këtij projektligji i ofroi deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Në një moment ai kritikoi edhe kolegët e tij deputetë për zhurmat e shumta në seancë plenare.

“Ju kisha lutur që të dëgjoni ose po e ndërpremë. Nëse jo po e lëmë muhabetin krejt. Nënkryetarja ose krijoni kushtet ose po e ndërpremë. Është kulturë themelore kur flet dikush me dëgju tjetrin”, tha ai.

Fjalën e mori edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili tha se ky projektligj është afër finalizimit dhe se shumë shpejt do të sillet në Kuvend.

“Ligji për shëndetësi është ndër prioritetet më të mëdha, sikurse edhe ajo që diskutuam në mëngjes. Ky ligj është tashmë në finalizim dhe sipas planit tonë të dy këto ligje do të jetë të adresuara deri më 30 shtator, por ne do ta bëjmë shumë më herët sepse kemi bërë avancime të shkëlqyeshme”, tha ai.

Deputetët po vazhdojnë diskutimet lidhur me këtë projektligj.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.