​Punëtorët e KEDS-KESCO nisin grevat, kërkojnë rritje të pagave

Punëtorët e KEDS-KESCO në shtatë distriktet e kësaj kompanie sot kanë nisur grevën njëorëshe me kërkesë të vetme rritjen e pagës prej 100 eurosh. Distrikti i Prishtinës dhe ai i Fushë Kosovës mbajtën grevën para objektit të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike. Derisa paralajmëruan se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave.

Përmes parullave “Çmimet në qiell e pagat përtokë”, “Duam paga të dinjitetshme”, punëtorët e KEDS-it rritjen prej 30 eurosh të ofruar nga menaxhmenti i kësaj kompanie e konsiderojnë diskriminuese.

Kryetari i Federatës së  Sindikatave të Pavarura Elektrokosova (FSPE), Ahmet Hyseni u shpreh se mjaftueshëm kanë mirëkuptuar për shkak të krizës energjetike, dhe se tani kërkojnë rritje page prej 100 eurosh.

Ai thotë se propozimi i menaxhmentit të KEDS-it për rritje të pagës për punëtorët prej 30 eurosh është i papranueshëm.

“Greva është treditore, sot do të fillojmë me një orë, nesër dy orë, dhe pasnesër me tri orë, kështu që po presim që do menaxhmenti me na thirr me bisedu nëse nuk do me bisedu të premten do të ulet këshilli grevist edhe do të vendosim më tutje, nëse nuk ka ndonjë marrëveshje do të vijnë të gjitha distriktet në Prishtinë… Kërkesa jonë është për rritje të pagave prej 100 (eurosh)… Ne kemi pasur shumë bisedime jemi ulur e kemi parë që ka qenë një kohë COVID-i, pastaj ka qenë kriza energjetike ne nuk deshëm me i bë presion për shkak të krizës energjetike e pritëm ashtu siç na tha menaxhmenti të presim deri në mars, në mars pritëm u ulëm ai në takim na ofroi rritje prej 30 eurosh për punëtorë ku për neve si Sindikatë kjo është e papranueshme, nuk mund të pranojmë rritje prej 30 eurosh për punëtorë”  tha ai.

Ai paralajmëroi se nuk do të zmbrapsen deri në realizimin e kërkesës së tyre për rritje page prej 100 eurosh.


“Besoj që javën tjetër me siguri do të vijnë të gjitha distriktet në Prishtinë dhe të ulemi… Nuk do të ndalemi deri në realizimin  e kërkesave tona”, u shpreh ai.

Për punëtorët e distriktit të Prishtinës, Avdullah Miftari rritja e propozuar nga KEDS prej 30 eurosh është diskriminuese.

Sipas tij, si pasojë e pagave të ulëta mungon edhe disponimi i punëtorëve për punë.

“Kjo ka qenë deshtë kaherë me reflektu sepse disponimi i punëtorëve është zero në krahasim me të ardhurat mujore, ne të gjithë jemi të certifikuar dhe të specializuar, një bari mund të realizojë këto të ardhura mujore sa na përket, nuk është kjo zgjedhje me 100 euro por për momentin ndoshta me u tërheq prej këtij presioni se ne jemi të gjithë mbajtës të familjes sa që kërkesat nuk janë askund. Çmimet janë katërfishuar… Kjo është absurde për stafin menaxhues kur e sheh të arsyeshme për 30 euro rritje page, më mirë nuk ka qenë dashur të mos prononcohen fare, kjo është diskriminim total i të gjithë punëtorëve”, u shpreh ai.

Nurie Sopi, e cila si teknike e energjetikës punon në këtë kompani tha se rritja e pagës prej 100 eurosh është shumë e nevojshme sidomos duke marr parasysh edhe rrezikshmërinë e punës dhe inflacionin që ka prekur vendin.

“E nevojshme është edhe më tepër se çmimet e larta, pastaj COVID ka destabilizuar të gjithë familjet dhe kështu kemi vendosur kërkesat tona të realizohen me rritje të pagave deri në 100 euro… Një ofertë josimbolike për punëtorët që punojnë në terren dhe janë të rrezikuar punojnë në kushte të vështira por të gjithë për këtë ekzistencë vijnë dhe na duhen patjetër”, tha ajo.

Greva do të vazhdojë edhe nesër, më 12 maj nga ora  08:30 deri në 10:30, si dhe 13 maj, nga 08:30 deri në 11:30.

Lexo edhe

Video