​Punëtorët e ATK-së do të vazhdojnë grevën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre

Për tri orë rresht qytetarët në Republikën e Kosovës nuk patën mundësi të marrin shërbime në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), pasi punëtorët e kësaj të fundit ishin në grevë që nga ora 9-të deri në 12.

Sindikata e Punëtorëve të ATK-së ka paralajmëruar se greva do të vazhdojë edhe ditëve në vijim dhe nuk do të ndalet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, e që janë krijimi i kushteve të punës, propozim-ndryshimi i statusit të ATK-së, kompensimet e të ndryshme.

Sekretarja e sindikatës, Arlinda Bajra bëri të ditur se greva 3-orëshe do të vazhdojë gjatë gjithë javës, me shpresën që deri atëherë do të marrin një përgjigje  nga qeveria e Kosovës lidhur me kërkesat e tyre.


“Sot kemi vazhduar grevën e pezulluar të muajit maj, ku arsyet për këtë grevë janë dhënë paraprakisht. Kemi pezulluar grevën ku për shkak të procedurave, kemi dhënë një afat prej 30 ditësh për ministrinë, për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të kërkesave tona[…]Greva ka filluar sot në orën 9 deri në orën 12 dhe do të vazhdojë fillimisht kështu. Është mbajtur në të gjitha regjionet e ATK dhe është respektuar pothuajse 100 përqind nga i gjithë stafi i regjioneve tjera”, tha ajo.

Ajo tha se kërkesat e tyre i janë paraqitur Ministrisë së Financave për disa herë me radhë, teksa tregoi edhe njëherë se cilat janë ato.

“Kërkesat janë paraqitur disa herë edhe përmes shkresave me shkrim që janë dërguar disa herë në ministri dhe përmes mediave, ku kanë qenë krijimi i kushteve të punës, propozim-ndryshimi i statusit të ATK-së dhe kompensimet tjera për zyrtarët e ATK-së”, u shpreh ajo.

Greva 3-orëshe e Sindikatës së Administratës Tatimore të Kosovës është vazhdimësi e grevës 1-orëshe të mbajtur në maj të këtij viti dhe do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: