​Publikohet raporti i Dialogut Kombëtar për Rini

​Publikohet raporti i Dialogut Kombëtar për Rini

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar të premten raportin e Dialogut Kombëtar për Rini, i cili përfshinë një dialog të gjerë ndërmjet të rinjve dhe hisedarëve të sektorit të rinisë për të identifikuar më mirë arritshmëritë, sfidat dhe nevojat e të rinjve.

Në  ceremoninë e publikimit të këtij raporti në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se komunikimi i drejtpërdrejtë me të rinjtë është posaçërisht i rëndësishëm, sepse përveç që formëson vendimet, njëkohësisht formon edhe të ardhmen, të cilën të rinjtë e trashëgojnë.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se kreu i ekzekutivit theksoi se si zbatues të politikave janë të fokusuar të zhvillojnë plane e programe më të mira për t’u ofruar të rinjve mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për ta, në të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre e të vendit.


“Aktualisht jemi në fazën përfundimtare të përgatitjes së draftit të koncept dokumentit për të rinjtë, që synon pjesëmarrjen më aktive të të rinjve në mekanizmat vendimmarrës”, ka thënë ai.

Me anë të Dialogut Kombëtar për Rini, synohet që të njoftohen më mirë të gjitha institucionet qeveritare, komunale, partnerët ndërkombëtarë e shoqëria civile, lidhur me nevojat dhe sfidat e rinisë, me qëllim të përmirësimit të procesit të hartimit të politikave, por edhe të programeve e projekteve për mbështetjen e të rinjve, si dhe zhvillimit personal dhe profesional të tyre.

Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të nivelin qendror dhe lokal, përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të organizatave rinore, krahas publikimit të raportit, me këtë ceremoni u bë edhe hapja e Muajit të Rinisë, që do të zgjasë deri më 31 gusht, me shumë aktivitete të organizuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit anembanë Kosovës.  

Lexo edhe

Video