​PSD: Qeveria po krijon mekanizëm për të kontrolluar e shantazhuar administratën publike

Partia Socialdemokrate konsideron se, Qeveria e Kosovës përmes Ligjit për inspektime dhe Ligjit për inspektim administrativ po synon që të vendosë sa më shumë nën kontroll aparatin shtetëror. Sipas kësaj partie, projektligji ka për synim krijimin e Inspektoriatit Administrativ, që do të jetë agjenci ekzekutive dhe që PSD thotë se më shumë i ngjan një trupe policore civile pa uniformë, që do të kontrollojë, shantazhojë dhe hetojë administratën publike drejtpërdrejt nga zyra e ministrit Xhelal Sveçla.

Në një konferencë për medie lidhur me këtë çështje, nënkryetari i PSD-së, Qëndron Kastrati u shpreh se kjo qeveri ka zell shumë të madh për të kontrolluar edhe disiplinuar administratën shtetërore dhe bizneset, por të njëjtin zell nuk e ka për të bërë politika zhvillimore.

Ai ka ftuar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të mos votojnë Ligjin për inspektimin administrativ, madje kërkon që edhe qeveria të tërhiqet nga ky ligj.

“Qeveria me këtë qasje dhe mendësi ka një zell shumë më të madh për të kontrolluar dhe disiplinuar, qoftë administratën shtetërore, qoftë bizneset apo qytetarët derisa nuk e vërejmë këtë zell edhe interesim për të bërë politika zhvillimore apo për të synuar të merren me ligje që do të avanconin të drejtat e njeriut. Ne ftojmë Kuvendin e Kosovës që mos të votojë Ligjin për inspektimin administrativ apo që edhe qeveria të tërhiqet fare nga ky ligj sepse një qasje e tillë dhe pushtet i tillë normalisht që gjithkund në botë ka treguar që mund të bëhet vetëm një sistem ose pushtet autoritar dhe jo një pushtet që ka synim afirmativ për zhvillimin e demokracisë dhe zhvillimin e shoqërisë“, u shpreh ai.

Kastrati ka kërkuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës që Ligjin për inspektim administrativ ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese. Ai po ashtu u shpreh se edhe me Ligjin për inspektime qeveria po synon të centralizojë kontrollin dhe ndikimin.

Nënkryetari i PSD-së u shpreh gjithashtu se Ligji për inspektimin administrativ e krijon mundësinë që administrata shtetërore dhe agjencitë e pavarura të jenë të varura dhe të kontrolluara nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Me këto ligje arrihen dy aspekte që ne jemi të shqetësuar, aspekti i parë është t’i nënshtrojë dhe disiplinojë zyrtarët e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura ku ata do të mund t’i nënshtrohen inspektimit administrativ, pastaj ajo vazhdon me gjobë dhe shumë çështje të tjera që normalisht në vende demokratike këto janë kompetencë e sistemit të drejtësisë edhe deri në njëfarë mase kompetencë e eprorëve apo departamenteve që punojnë. Gjithashtu është edhe Ligji për inspektime ku qeveria në këtë aspekt ka synim të centralizojë kontrollin dhe ndikimin. Pra përmes këtyre dy ligjeve njëra e rrit kontrollin dhe ndikimin tek Zyra e Kryeministrit ku ata kanë mandat të inspektojnë dhe kontrollojnë shumicën e fushave edhe në tërë Kosovën që normalisht sipas rregullatives në Kosovë por edhe shembujve të mirë është që janë shumica e tyre janë kompetenca vetanake të komunave”, tha ai.


Dren Kukaj, drejtues i politikave në PSD, u shpreh se viti 2022 do jetë një vit me ligje në fushën e inspektimeve që përmes institucioneve të reja që do jenë të shërbim të qeverisë do të vendoset kontroll tek subjektet e inspektuara.

Sipas tij, në bazë të Ligjit për inspektim administrativ subjekti i inspektuar ka të drejtë të paraqesë ankesë, por instanca ku do të paraqitet ajo ankesë është krejtësisht politike, pasi ankesa mund të paraqet tek ministri apo komisioni që krijon ai.

Përmes këtij ligji, ai tha se do të krijohet edhe një mekanizëm i ri i cili, siç u shpreh ai, pushtetit aktual do t’i shërbej për të vënë nën kontroll një pjesë të madhe të aparatit shtetëror.

“Sipas Ligjit të inspektimit administrativ nënkupton kontrollin e zbatimit ose përputhshmërisë së kërkesave ligjore dhe procedurave me ligjet dhe rregulloret për institucionet e përcaktuara me këtë ligj. Në këtë drejtim janë tri çështje që duhet të përmenden se veprimtarisë së zyrtarëve publikë po i shtohet edhe një mekanizëm i ri i vlerësimit të punës së tyre, duhet të ketë parasysh se aktualisht zyrtarët publikë, puna e tyre, vlerësohet nga eprorët e tyre sipas hierarkisë vertikale, në institucionet ku janë e njëjta mund të vlerësohet përmes zyrës së Auditorit të Përgjithshëm gjithashtu puna e atyre mund të vlerësohet se në rast se ka dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare mund të jetë objekt hetimi edhe prej institucioneve të drejtësisë. Ky është një mekanizëm shtesë përmes të cilit do të vlerësohet puna e zyrtarëve publikë në vend. Gjithashtu si çështje e dytë është se përmes këtij mekanizmi mund të cenohet parimi i neutralitetit politik dhe pavarësia e institucioneve… Ky mekanizëm gjykuar me tendencat autoritare të pushtetit aktual qeveritar mund të shërbejë si një mekanizëm efikas për të vënë nën kontroll një pjesë të madhe të aparatit shtetëror… Ky aparat, ose ky mekanizëm, më shumë do t’i ngjajë një tip policie pa uniforme, por një tip policie të polit të byrosë të pushtetit krejt të drejtë të Albin Kurtit”, u shpreh ai.

Nga kompetencat që u jep inspektorëve Ligji për inspektim administrativ, Dren Kukaj nga PSD thotë se inspektorët më shumë do t’i ngjajnë policëve.

“Nga kompetencat që shohim më shumë i ngjan një policie se sa një inspektimit administrativ. Çka është një element i rëndësishëm është se inspektorët gëzojnë të drejtën e inspektimit ta realizojnë në mënyrë të papenguar çka i bie kjo? Që zakonisht kur organet e sistemit ë drejtësisë sekuestrojnë mallra apo diçka që mund ta përdorin zakonisht nuk është praktik që e bëjnë vetë gjithmonë është një palë e tretë aty në rastin konkret inspektimet mund të bëhen në mënyrë të papenguar edhe nga vetë inspektorët madje kanë të drejtë që të përjashtojnë nga vendi që inspektojnë edhe subjektet e inspektimit”, u shpreh ai.

PSD thotë se projektligji për Inspektimin Administrativ nuk guxon të kalojë, pasi Inspektoriati Administrativ do të jetë një prej mekanizmave më efikas që pushteti do të ketë në dorën e tij për të kontrolluar, shantazhuar e policuar punonjësit përbrenda aparatit shtetëror.

Lexo edhe

Video