​Protestojnë punëtorët e “Kosova Thëngjillit”, kërkojnë rikthimin në punë

Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” kanë protestuar të mërkurën para Qeverisë së Kosovës me kërkesë rikthimin në punë.

Kryetari i aksionareve i kompanisë “Kosova Thëngjilli”, Imer Restelica tha se vazhdimisht kanë pasur probleme me KEK-un, pasi siç tha ai, i ka lënë pa punë mbi 160 punëtorë dhe familje.

Ai tha se kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë që punëtorët ta vazhdojnë punën.

“Kompania e KEK-ut ka shpallur një padrejtësi ndaj neve, ne jem mbi 160 punëtorë dhe familje, prej viti 2003 jemi duke u larguar prej KEK-ut. Qëllimi i kësaj proteste është që të zgjidhet problemi. Pika e parë ka qenë kthimi në KEK dhe e dyta është vazhdimi i punës për punëtorët  e “Kosova Thëngjillit”, të cilët padrejtësisht janë larguar prej KEK-ut… Ne kemi pasur vështirësi edhe me herët me këto kontrata, mirëpo vazhdimisht neve na shpallet kjo padrejtësi dhe jemi të dënuar në këtë aspekt, prandaj kemi ardhur për ta zgjedhur këtë problem”, tha ai.

Selime Bytyqi, punëtore e kësaj kompanie tha se kërkojnë një përgjigje nga institucionet.


“Para një muaji kemi ardhur këtu dhe kemi protestu, kemi hyrë brenda katër veta dhe na kanë premtuar një përgjigje, mirëpo nuk ka përgjigje fare. Kemi ardh prapë me protestu sot, mirëpo po thonë që nuk është askush brenda. Kështu kemi mbet pa punë, na kanë ndërprerë thëngjillin, punëtorët kemi mbet rrugëve”, tha ajo.

Punëtori tjetër i “Kosova Thëngjillit”, Enver Sadiku, tha se nga pa punësimi janë të gatshëm ta dëmtojnë edhe vetën.

“Jam ardh aty ku është vendi, këta duhet mu marr me mu, unë prej këtu s’kam ku me shku ma… Mos na detyroni na me shku në objektet tona dhe me marr mjete për me dëmtu vetveten, jemi në gjendje me dëmtu edhe vetveten për shkak të familjes”, tha ai.

Ndërsa drejtori i “Kosova Thëngjillit”, Sylejman Hajdini tha se Qeveria nuk ka asnjë arsye për t’i lënë  pa punë këta punëtorë.

“20% të rrogës ju kam jep punëtorëve vetëm me ja kryer obligimet KEK-ut… Pikë arsye nuk ka me na lenë kështu rrugëve, pse kemi harxhuar sasinë. E kemi harxhuar sasinë e thëngjillit dhe tash po na ndal. Kur e kam nënshkruar kontratën kom pas borxh dhe i kam treguar drejtorit të KEK-ut kur e kam nënshkruar kontratën që s’kam mundësi t’i paguajë dhe më ka thënë ‘nënshkruaje për hir të punëtorëve’”, tha ai.

Lexo edhe

Video