​Programi i MCC-së, Olmstead: Kosova të përshpejtojë në realizimin e projektit

Në takimin mes të delegacionit amerikan të MCC-së dhe atij të Qeverisë së Kosovës në lidhje me Programin kompakt të MCC-së, u tha se i njëjti do të mundësojë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë energjetik në Kosovë, në një të ardhme me energji të ripërtëritshme. Ndërkohë që u theksua domosdoshmëria e intensifikimit të procesit të ratifikimit dhe proceseve tjera përcjellëse teknike të cilat përshpejtojnë dhe hapin rrugën drejt zbatimit të projektit.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se ky program do t’ia kursejë sistemit energjetik të Kosovës të paktën 15 milionë euro në vit.

Ministrja Rizvanolli pret që sa më shpejt të ratifikohet marrëveshje në kuvendin e Kosovës, në mënyrë që të nis zbatimi i programit.

“Nga 236.7 milionë dollarë, 202 milionë vijnë si grant, mjete këto të cilat do të investohen në Kosovë pa pasur nevojë të kthehen, ndërsa, pjesa tjetër do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Mbi 75 përqind të kësaj vlere janë investim kapital direkt, kurse ky do të jetë granti më i madh në histori të Kosovës gjë që edhe një herë shpërfaq dhe simbolizon partneritetin dhe miqësinë e thellë në mes dy vendeve dhe popujve tanë. Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë, rreth 347 megavatë orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit, si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës për orët më të ngarkuara gjatë ditës që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë. Sa i përket baterive ky investim do të jetë i pari në rajon dhe një ndër më të mëdhenjtë në Evropë”, theksoi Rizvanolli.


Drejtoresha e MCC-së për Kosovë, Sarah Olmstead theksoi se aprovimi unanim i Programit Kompakt të Kosovës nga bordi i  drejtorëve të MCC-së ka një rëndësi të madhe për Kosovën, ku sipas saj do të jetë një investim për “bateri” që ka për synim orientimin e Kosovës drejt energjisë së ripërtëritshme.

Ajo ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës të përshpejtojë realizimin e kësaj marrëveshje për të nxjerrë përfitimet e projektit.

“Më këtë grant po krijohet një mjedis i rëndësishëm për investime në bateri dhe të mbështesim Kosovën që të arrijë energjinë e ripërtëritshme dhe synimet e energjisë në përgjithësi. Si dhe mundësi të barabarta për minoritetet po ashtu edhe për gratë me këtë program… Jo vetëm ne si pjesëmarrës në këtë sallë, por edhe gjithë spektri politik dhe Qeveria, të punojmë së bashku që të përshpejtojmë së bashku ato përfitime që do të vijnë për popullin e Kosovës nga ky investim. Ne presim që ky program të nënshkruhet në korrik ku pastaj pritet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës”, theksoi ajo.

Pas aprovimit unanim të Programit Kompakt të Kosovës nga Bordi i  Drejtorëve të MCC-së, një delegacion teknik Amerikan ka ardhur për vizitë pune në Kosovë. Qëllimi i vizitës është fillimi i punës në dizajnimin dhe implementimin e projektit të sistemeve akumuluese, si dhe mbajtja e takimeve koordinuese me institucionet hisedare në projektin e kapaciteteve akumuluese të energjisë.

Programi kompakt i MCC-së arrin shumën prej 236.7 milionë dollarë.

Lexo edhe

Video