​Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, anëtar i KON-it, vizitoi Kosovën

​Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës, Morinari Watanabe, anëtar i KON-it, vizitoi Kosovën

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG), Morinari Watanabe, njëherit anëtar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), ka vizituar të martën Kosovën.

I pari i gjjmnastikës në botë, Watanabe, që vjen nga Japonia, sot ka zhvilluar takim të përbashkët me presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, Mitsunori Ogasawara, kryetarin e Federatës së Gjimnastikës së Kosovës, Besim Halilaj, si dhe kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Krahas gjimnastikës, Watanabe, ishte edhe kryetar i “Task Forcës” së boksit të krijuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar për Lojërat Olimpike Tokio 2020, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Organizativ për LO Tokio 2020, ndërsa është edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Japonisë.

Në takimin e mbajtur në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, presidenti Krasniqi, duke e falënderuar presidentin Watanabe për vizitën, theksoi se është nderë për vendin tonë që një personalitet i lartë i sportit botëror po e viziton Kosovën, derisa shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar ngusht me FIG-un në mbështetjen dhe avancimin e sportit të gjimnastikës në Kosovë.


Presidenti Watanabe shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen e bërë, derisa ofroi mbështetjen e Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës për Federatën Gjimnastike të Kosovës. Në lidhje me këtë, u diskutua për gjetjen e ndonjë objekti ose salle për rinovim, për të cilën Watanabe theksoi se FIG do të sjellë të gjitha pajisjet përcjellëse për përgatitje dhe gara, çka u mirëprit dhe u falënderua nga presidenti Krasniqi dhe kryetari Halilaj.

Anëtari i KON-it uroi edhe presidentin Krasniqi dhe kryetarin e FXHK-së, Kuka, për medaljet olimpike të fituara në LO Tokyo 2020, me shpresën se në të ardhmen, nëse jo në Lojërat Olimpike Paris 2024, Kosova të ketë gjimnastë për LO Los Angjelos 2028.

Pas takimit, u shtrua një drekë e përbashkët, ku morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti dhe drejtuesit tjerë të FGJK-së, sekretari i përgjithshëm, Amir Tahiraga dhe nënkryetarja, Sherife Qerimi.

Meqenëse këtë herë qëndrimi i japonezit Watanabe ishte i shkurtër, ai konfirmoi se në fund të muajit nëntor të këtij viti do të ketë një tjetër vizitë më të gjatë në vendin tonë.

Lexo edhe

Video