​Policia e Kosovës demanton sërish mediat serbe: Nuk ka ndodhur asnjë incident në Bërnjak

​Policia e Kosovës demanton sërish mediat serbe: Nuk ka ndodhur asnjë incident në Bërnjak

Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me raportimin e medieve serbe se gjoja në Bërnjak është paraqitur situatë dramatike dhe se aty pjesëtarët e policisë kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe KFOR-i e ka parandaluar incidentin.

Nëpërmjet një komunikate për medie thuhet se një gjë e tillë është e pavërtetë dhe tendencioz e që për qëllim ka dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët.


“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, se kinse në Bërnjak është paraqitur një situatë dramatike, ku kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe  KFOR e ka parandaluar incidentin. Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Një informacion i tillë, i pavërtetë dhe tendencioz ka për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë”, thuhet në reagim.

Në reagim theksohet se jo vetëm në Bërnjak por në asnjë pikë kufitare nuk ka pasur incidente.

“Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe  tendencioze. Policia e Kosovës do të vazhdoj angazhimin dhe përkushtimin e saj, në zbatimin e ligjeve dhe kushtetutës së Republikës së Kosovës, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend dhe ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime”, përfundon reagimi i Policisë së Kosovës.

Lexo edhe

Video