​Përurohet çerdhja e re në Vushtrri, Tahiri thotë se për një mandat ndërtuan dy çerdhe publike

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka përuruar sot çerdhen e re të ndërtuar në këtë komunë. Ndërtimi i kësaj çerdhe komunës i ka kushtuar mbi 230 mijë euro dhe ka kapacitet për pranimin e mbi 100 fëmijëve.

Me rastin e përurimit të çerdhes, Tahiri tha se në këtë mandat kanë arritur të ndërtojnë dy çerdhe publike, derisa theksoi se për 20 vite nuk kishte pasur ndërtim të asnjë çerdheje.

Në këtë çerdhe, Tahiri tha se fëmijët do të kenë kushte shumë të mira dhe se do të kenë një ambient që i plotëson të gjitha nevojat e më të vegjëlve.


“Sot është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për krejt prindërit dhe fëmijët e qytetit të Vushtrrisë, kemi përuruar çerdhen e tretë publike në qytetin e Vushtrrisë. Në këtë mandat kemi ndërtuar dy çerdhe publike, për 20 vite nuk kishim ndërtimin e asnjë çerdhe në qytetin e Vushtrrisë dhe jam shumë i kënaqur e shumë i lumtur që të gjithë fëmijët dhe prindërit në qytetin e Vushtrrisë do të kenë një objekt kaq modern që i plotëson të gjitha nevojat për fëmijët që të kenë një ambient të sigurt dhe një ambient edukativ”, tha ai.

Drejtoresha e çerdhes, Sheribane Maxhuni, tha se është e lumtur që më në fund i është kushtuar rëndësi të madhe edukimit parafillor, derisa deklaroi se çerdhja ka kapacitet për pranimin e 100 fëmijëve.

“Tash në qytetin tonë i kemi gjithsej tri çerdhe publike. Jam shumë e lumtur që më në fund edukimit parashkollor i është kushtuar një rëndësi shumë e madhe, duke e ditur se niveli parashkollor është niveli numër një, është bazamenti apo themeli i edukimit të fëmijëve… Çerdhja këtu ka me përfshi diku afër 100 fëmijë dhe në çerdhet tjera i kemi diku numrin 250 fëmijë në dy çerdhet përfshi fëmijët prej 0-6 vjeç. Punohet me standarde, punohet me moshën parashkollore me kurrikulë bërthamë, do të mundohemi që sa më mirë t’i presim, të kujdesemi se e ardhmja është në duart e fëmijëve”, tha ajo.

Gjatë këtij viti ka përfunduar ndërtimi i dy çerdheve publike në qytetin e Vushtrrisë.

Lexo edhe

Video