Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

​Përurohet atelieja në kopshtin “Gëzimi ynë” në Istog

​Përurohet atelieja në kopshtin “Gëzimi ynë” në Istog

Është inauguruar sot atelieja e re edukative në Kopshtin “Gëzimi ynë” në Komunën e Istogut. Kjo atelie është pajisur me të gjitha materialet e nevojshme për të krijuar një ambient të përshtatshëm për aktivitete të shumta për më të vegjlit.

Kjo atelie është mundësuar në kuadër të Projektit Pedakos-Aleanca për Zhvillimin e Arsimimit Parashkollor për Kosovën, financuar nga Qeveria italiane nëpërmjet Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, ndërsa është realizuar nga shoqata italiane Volontari nel Mondo RTM me mbështetje të Ambasadës së Italisë në Kosovë.

Projekti Pedakos është një projekt 3-vjeçar që përfshin 15 kopshte pilote në të gjithë vendin dhe ka në fokus edukimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë. Deri më tani janë përfunduar ndërhyrjet në 8 kopshte, derisa do të vazhdojë puna edhe për kopshtet e tjera.

Valentina Zefi, përfaqësuese ligjore në RTM Volontari Nel Mondo, tha se projekti Pedakos në Kosovë është një projekt trevjeçar.

“Projekti Pedakos në Kosovë është një projekt trevjeçar, i cili është i financuar nga Qeveria e Italisë përmes AICS që është agjenci për zhvillim dhe bashkëpunim në kuadër të Qeverisë italiane. Projekti gjithashtu është i mbështetur nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Ky investim është një atelie të cilën e kemi realizuar sot, është në kuadër të projektit Pedakos, i cili do të thotë është krahas të gjithë aktiviteteve të tjera të projektit që është një shkëmbim shumë i ngushtë me kopshtet e Italisë dhe me Reggio Children në Itali”, tha ajo.

Ajo tregoi qëllimin e projektit Pedakos, derisa bëri të ditur se deri më tash puna ka përfunduar në 8 kopshte.

“Projekti Pedakos ka fokus edukimin në fëmijërinë e hershme në Kosovë. Gjatë këtij viti kemi pasur shumë vështirësi në realizimin e këtij projekti, mirëpo përkundër gjendjes pandemike organizata ka arritur që ta bëjë një riprogramim të aktiviteteve të cilat janë realizuar gjatë kësaj periudhe. Gjatë kësaj periudhe kemi arritur të realizojmë 8 projekte nga 15 kopshte pilote të cilat janë të përfshira në projekt. Ky është inaugurimi i parë të cilin e kemi realizuar në Komunën e Istogut, mirëpo gjatë kësaj periudhe do të realizojmë edhe inaugurimin e atelieve të tjera të cilat janë në komunat tjera”, tha ajo.

Drejtoresha e kopshtit “Gëzimi ynë”, Fatmire Rugova, tha se kjo atelie do t’iu mundësojë fëmijëve të kenë një ambient më të përshtatshëm për aktivitetet e tyre.

“Kjo është atelieja e parë e realizuar në Kosovë, tash e një vit jemi duke mbajtur kontakte të rregullta dhe trajnime nga distanca që ndihmojnë si qasje shtesë e punës me fëmijët. Nga përmbajtja kjo atelie sipas Reggio Emilia në Itali përmban punë kolegjiale të të gjithë stafit, praninë e përditshme të më shumë edukatoreve, kuzhinë e brendshme si një atelie për shije, mjedis edukues, dokumentim të dukshëm të procesit krijues të njohurive dhe pjesëmarrje të familjeve. Këto hapësira të brendshme që i shihni janë hartuar dhe organizuar si mjedis që ndër vepron dhe merr formë me përvojat e të mësuarit të vazhdueshëm në mes të artit dhe pedagogjisë”, u shpreh ajo.


Shefja e Divizionit të Arsimit Parashkollor në MASh, Laberi Luzha, tha se në vitin 2020 është nënshkruar marrëveshja për të implementuar qasjen e re Reggio Emilia në Kosovë, një qasje e cila vë në dukje aftësimin profesional të mësimdhënësve dhe punën praktike me fëmijët në institucionet parashkollore.

“Kemi filluar këtë projekt ta implementojmë në 15 institucione parashkollore më Kosovë, përfshi të gjitha format e organizimit dhe shpresojmë shumë që pas aftësimit të edukatoreve që punojnë në këto 15 institucione parashkollore bashkë me udhëheqësit e tyre ne do të zgjerojmë projektin, sepse tashmë kjo metodologji ka pasur suksese në shumë vende të njohura botërore, por shembullin më të mirë ne e kemi Italinë me rezultate shumë të larta në zhvillimin e fëmijëve në moshën e hershme”, tha ajo.

Ajo tha se synim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është që të kenë ambiente të tilla në të gjithë vendin.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi, ka mirëpritur përurimin e kësaj hapësire, duke thënë se do t’iu mundësojë fëmijëve kushte më të mira.

“Është një punë e mirë, një punë e cila do t’iu sjellë fëmijëve tanë kushte më të mira dhe shpresoj që edhe çerdhet e tjera, siç e premtoi edhe përfaqësuesja nga MASh, që shumë shpejt ndoshta edhe çerdhet e tjera në Komunën e Istogut do të pajisen me këto atelie”, tha ai.

Fëmijët e këtij kopshti, Alketa Metaj dhe Agas Balaj, kanë pasur një falënderim për ata që kanë mundësuar këtë ambient kreativ për ta.

“Ne fëmijët e kopshtit ‘Gëzimi ynë’ jemi shumë të lumtur dhe ju falënderojmë për kontributin tuaj, i cili do të na mundësojë aktivitetet tona”.

Ditëve në vijim do të ketë përurime të tilla edhe në kopshte të tjera në komunat e Kosovës.

Lexo edhe

Video

error: