​Personat me aftësi të kufizuara kanë dorëzuar shtatë padi ndaj institucioneve, vetëm një ka filluar shqyrtimin

Shtatë padi janë dorëzuar nga personat me aftësi të kufizuara në bazë të Ligjit Anti-diskriminim. Të njëjtit po kërkojnë nga institucionet trajtim dinjitoz dhe krijimin e qasjes së lehtë në rrugë dhe objekte. Vetëm një nga këto padi ka filluar shqyrtimin nga gjyqësori. Por edhe kjo padi e parashtruar në vitin 2018 është zvarritur, duke kërkuar nga paditësi që të vendos pikat lëvizëse brenda Prishtinës. Kjo kërkesë po paraqet habi për organizatat joqeveritare dhe Institucionin e Avokatit të Popullit, të cilët thonë se e drejta e lëvizjes duhet të jetë e pakufizuar.

Personat me aftësi të kufizuara nuk po trajtohen të barabartë si qytetarët e tjerë. Ata hasin në vështirësi e rrezik gjatë ecjes në rrugë. Këtë e rrëfen për KosovaPress edhe Faruk Kukaj, i cili tregon se këto pengesa i ka pasur gjithë jetën.

“Kam qarkulluar zakonisht me karrocë elektrike, ku në shumicën dhe krejt kohën kam qarkulluar rrugës veturave, trotuaret më herët nuk ka pasur mundësi se kanë qenë të lartë dhe është rrezikuar jeta gjithmonë rrugës. Dikur trotuaret kanë filluar mu ul nga qendra, ku thuaje ka qendra nuk ka pasur. Në objekte publike kanë filluar disa rampe apo pjerrina, por brenda ose është lifti i ngushtë ose nuk ka lift fare, absolut në Kosovë nuk ka objekte plotësisht të qasshme për persona me aftësi të kufizuara.

Aktivisti i personave me aftësi të kufizuara, ka paraqitur edhe padinë e parë ndaj një institucioni. Katër vjet më parë ka paditur Komunën e Prishtinës për moskrijimin e qasjes së lehtë për personat me aftësi të kufizuara.

“Unë duke parë që nuk po veprojnë qeveria, shteti diçka më tepër për të na mundësuar qasjen apo që të na respektojnë të drejtën që kemi për lëvizje të lirë dhe për të marrë pjesë apo për të qenë prezent në objekte të ndryshme si qytetarët tjerë, kam vendosur me përkrahjen e Handikos-it në vitin 2018, institucionin, Komunën e Prishtinës… Akoma qe katër vjet është në procedurë gjyqësore lënda dhe kanë ardhur deri te një mendim gjykata që ‘në rregull por ti trasoje rrugën se ku ke nevojë ti me qarkullim dhe po ta ofrojmë lëvizjen e lirë’. Por, unë shumicën e rasteve qarkulloj banesë-zyre”, tha Kukaj.

Për këtë ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili thotë se një kërkesë e tillë paraqet kufizim.

“Për neve paraqet një lloj kufizimi, sepse e drejta e lëvizjes duhet të jetë e pakufizuar nëse bëhet fjalë për hapësirat publike ku mund t’i shfrytëzojnë qytetarët”, deklaron ai.

Sipas tij, legjislacioni edhe pse provon të trajtojë të gjithë aspektet për këta persona, nuk ka arritur të jetë gjithëpërfshirëse.


“Konsideroj që ka pasur një zvarritje, duke marrë parasysh periudhën që jemi tash. Megjithatë, lajmi i mirë është që gjykata ka nisur tashmë të trajtojë. Por, në anën tjetër ne kemi dalë me një qëndrim dhe me një opinion lidhur me këtë rast. Përkundër punës së mirë që ka bërë gjykata, mungon një praktikë gjyqësore për trajtimin e këtyre rasteve sepse nuk kemi pasur më herët raste të kësaj natyre. Konsideroj që është mirë që gjykatat me pas parasysh respektimin e procedurave që dallojnë nga procedurat tjera të zakonshme, kur kemi raste të diskriminimit apo të shqyrtimit të lëndëve që për objekt kanë diskriminimin”, tha Qelaj. 

Përveç Farukut, ndaj institucioneve në Kosovë janë dorëzuar edhe gjashtë padi të tjera, por që asnjë nga këto nuk ka filluar shqyrtimin nga gjyqësori.

“Shtatë padi janë ngritur prej vitit 2018. Deri më tani vetëm një padi ka filluar shqyrtimin, janë mbajtur dy seanca. Presim të mbahet edhe seanca tjetër për diskriminim, i cili e diskriminon një qytetar të Prishtinës në lëvizjen e tij dhe rrezikon jetën çdo ditë prej veturave, automjeteve të ndryshme, e mos të them edhe mundësinë e tij që atij të hyjë lirshëm, të pijë një kafe me familje apo me miq apo shokë, të shkoj edhe në takime zyrtare, të nxjerr ndonjë dokument sikurse të gjithë të tjerët, të udhëtoj lirshëm dhe në çdo cep të komunës së Prishtinës”, ka deklaruar drejtori i Handikos, Afrim Maliqi.

Më tej, Maliqi thekson se personat me aftësi të kufizuara janë grupi më i varfër dhe i rrezikuar në vend.

“Janë grupi më i varfër dhe më i rrezikuar në vend. Sepse personat me aftësi të kufizuar përpos një mbështetje financiare që e marrin, disa grupe nuk marrin asnjë shërbim tjetër institucional. Dhe me ato mjete, ato pensione janë të detyruar që t’i blejnë të gjitha medikamentet, pajisjet. Të paguajnë asistentë, kujdestarë si në shpi, si në shkollë, ta paguajnë rehabilitimin e fëmijëve apo të rriturve, e cila është e pamundur që të mbulohet me atë shumë. Ne kërkojmë që fillimisht shteti apo institucionet tona të rregullojnë çështjen e rehabilitimit që çdo person i cili vlerësohet se ka një kufizim dhe ka nevojë për rehabilitim, ai rehabilitim t’i ofrohet në qendrat rehabilituese”, thotë ai.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut konsideron se kësaj kategorie shoqërore po u shkelet e drejta elementare.

“Personat me aftësi të kufizuara e kanë të pamundur qasjen në institucione. Janë shumë pak ose në numër të vogël të institucioneve të cilat mundojnë qasjen fizike të personave me aftësi të kufizuara kundrejt këtyre institucioneve…. qasja në institucione është e drejtë elementare e personave me aftësi të kufizuara, e cila fatkeqësisht ende po vazhdon të mos u ofrohet e plot këtyre personave. Prandaj ne si këshill gjithmonë kemi bërë thirrje ndaj institucioneve që të ri-mendohet dhe të ri-strukturohen të gjitha institucionet në mënyrë që të ofrojnë qasje të pa penguar për këta persona me aftësi të kufizuar”, shprehet Valentina Demolli nga KMDLNj.

Faruk Kukaj lutet që një ditë të përmirësohet jetesa dhe trajtimi për të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Ndryshe, në Kosovë mbi 27 mijë qytetarë janë përfitues të skemës financiare për personat me aftësi të kufizuara. Ndërkaq, viti 2022 shënon vitin për personat me aftësi të kufizuara. /Sh.Pajaziti/

Lexo edhe

Video