​Përmes rregullores së re të Kuvendit do të pamundësohet dështimi i mbledhjeve të kryesisë

Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës pritet të miratohet brenda këtij sesionit dimëror. Me ndryshimet e bëra do të pamundësohet dështimi i mbledhjeve të kryesisë, siç po ndodhë në javët e fundit. Ecurinë dhe mbarëvajtjen e legjislativit pritet ta drejtojë një trupë e re e quajtur “konferenca e kryetarëve”, me pjesëmarrës dhe të drejtë vote edhe nga shefat e grupeve parlamentare. Përmes këtyre veprimeve konsiderohet se do fuqizohen trupat e Kuvendit dhe roli i deputetit. E për deputetët “dembel”, që mungojnë në seanca plenarë pritet të ketë edhe sanksione në aspektin financiar.

Kryetari i komisionit për legjislacion, njëherësh edhe udhëheqës i grupit punues për hartimin e rregullores, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se drafti final i rregullores është në përfundim dhe ditëve në vijim do t’i shpërndahet grupeve parlamentare për komente dhe sugjerime para se të dërgohet për miratim në seancë.

Ai thotë se miratimi i rregullores së re është i nevojshëm për Kuvendin edhe për fuqizimin e rolit dhe detyrave të deputetëve.

Krahas kësaj, Rrustemi shton se janë duke diskutuar mekanizmat për ndëshkimin e deputetëve që s’marrin pjesë në seanca plenare.

“Po thuajse kemi përfunduar draftin, natyrisht jemi duke trajtuar disa detaje që janë më diskutueshme. Do të kemi edhe një punëtori ku do të përfundojmë versionin e draft-rregullores e cila do t’i shpërndahet grupeve parlamentare për komente dhe sugjerime para se të dërgohet në seancë për miratim. Unë mendoj se nuk ka asnjë arsye për mos t’u përfunduar brenda këtij sesioni, përveç procedurave të brendshme të miratimit të komisione dhe diskutimit se a do të kalohet në një lexim apo dy lexime…5:20 Ne kemi fuqizuar përgjegjësitë dhe detyrat e deputetit. Natyrisht jemi duke diskutuar mekanizmat se si ndëshkohen deputetët që nuk marrin pjesë në seanca apo mbledhje të komisioneve. Gjithsesi ajo është një përgjegjësi para votuesve të tyre paraprakisht, por është e domosdoshme edhe për të përmbushur funksionet e kuvendit. Nuk është në rregull që deputetët me kaq lehtësi të mos marrin pjesë në seancat e Kuvendit, të paktën kur nuk është veprim politik do të thoja”, thotë ai.

Miratimin e rregullores së re edhe përkrahin edhe nga opozita. Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa thotë për KosovaPress, se është në interes të Kuvendit të kalojë e njëjta.


Megjithatë, ai është më skeptik që rregullorja do të miratohet në sesionin dimëror.

 “Komisioni për Legjislacion e ka bërë një grup punues i cili është duke vazhduar. Jam optimist se nëse ka dakordësi nga gjitha partitë parlamentare mund të kalon vitin e ardhshëm në sesionin pranveror. Është në interes të Kuvendit të kalojë rregullorja pasi ka ndryshime pozitive në rregulloren e re”, thotë Beqa.

Nga ana tjetër, monitoruesja e punës së Kuvendit nga KDI, Agnesa Haxhiu, tregon për KosovaPress, detaje për ndryshimet e mundshme të punës së legjislativit me rregulloren e re.

“Ende nuk ka përfunduar faza e draftit nga grupi punues për t’u përcjell mandej në komente tek grupet parlamentare dhe shku në lexim të parë në komision dhe seancë. Nëse ka vullnet politik kjo mund të përfundojë deri në fund të vitit…Ka goxha ndryshime në raport me rregulloren aktuale, një prej tyre është risi trupa e re që po tentohet të krijohet, e cila është konferenca e kryetarëve. Është një lloj trupe që pak a shumë i merr kompetencave kryesisë së Kuvendit. Një prej kompetencave është pikërisht caktimi i agjendës së rendit të ditës, që edhe ka fillur me u bërë problematike për shkak të mungesës së kuorumit në kryesi… Është menduar krijimi i një seancë të veçantë vetëm për pyetje parlamentare për mos m’i marrë shumë kohë shqyrtimit të pikave të tjera, kjo është ende disktutabile. Është diskutuar edhe për sanksionet e deputetëve për mos pjesëmarrje të deputetëve në punime”, thotë ajo.

Rregullorja e re e Kuvendit ka dështuar të miratohet në legjislaturat e kaluara për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Lexo edhe

Video

error: