​Përfundon rinumërimi i votave në QNR, KQZ në pritje të Supremes

​Përfundon rinumërimi i votave në QNR, KQZ në pritje të Supremes

Ka përfunduar rinumërimi i votave në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR).

Përfundimin e numërimit të votave e ka bërë të ditur, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.

“Rinumërimi i 134 vendvotimeve sipas vendimit të PZAP-it dhe 7 të tjerave sipas vendimit të KQZ-së, është përmbyllur gjatë ditës”, tregoi Elezi.

Ai për KosovaPress tha se tani janë në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat që  janë paraqitur në këtë institucion. Ndërkohë thekson që KQZ do të veproje në përputhje me vendimet që dalin në mënyrë që të procedojnë për certifikimin e rezultateve përfundimtare.


“Tashmë jemi në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat që janë paraqitur në këtë institucion. KQZ-ja do të veprojë në përputhje me vendimet që dalin, në mënyrë që të procedojmë për certifikimin e rezultateve përfundimtare”, tregon Elezi.

Ndërkohë që ish-kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani po e sheh të mundshëm rinumërimin total të votave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Derisa i kanë mbetur edhe dy ditë Supremes për vendimmarrje të ankesave, Hasani thotë se nëse argumentohen pretendimet, do të ishte e udhës të largohen të gjitha dilemat se në QNR ka pasur orkestrim dhe manipulim të votave.

Në një intervistë për KosovaPress, Hasani tha se edhe votat për iniciativën e Adriana Hoxhiqit dhe Iniciativën Rome në vendbanimet me shumicë serbe janë legjitime. Ai thotë se kjo çështje është shkelje kushtetuese dhe jo ligjore.

Një numër i madh i ankesave gjatë ditës së djeshme janë adresuar në Gjykatën Supreme, kryesisht kandidat për deputetë të cilët kanë kërkuar rinumërim të votave, pasi pretendojnë se ka pasur parregullsi në numërimin e tyre. Krahas kësaj, ankesa kanë dorëzuar edhe iniciativa e komunitetit boshnjak të Adriana Hoxhiq lidhur me anulimin e votave në zonat me vendbanime serbe.

Ndërsa ankesë në Supreme kanë dorëzuar edhe dy ish-deputetë nga komunitetet boshnjake dhe rome. Duda Balje dhe Veton Berisha kërkuan anulimin e votave në gjitha komunat me shumicë serbe për iniciativën e Hoxhiqit dhe atë rome.

Lexo edhe

Video

error: