Në mungesë të institucioneve të veçanta për institucionet korrektuese në Kosovë sfidë vazhdon të mbetet trajtimi i personave me çrregullime mendore. Kështu thotë një raport me temën “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese në Kosovë për vitin 2022” i cili u bë publik nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti u shpreh se përmes këtyre monitorimeve synojnë t’i identifikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese.
Rushiti tha se viti i kaluar është karakterizuar me disa zhvillime pozitive të kornizës por edhe rishikimi i programeve rehabilituese.
Ndërsa, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu u shpreh me qëllim që të privuarit nga liria të gëzojnë të drejtat e tyre kanë ndërmarrë dhe po vazhdojnë të marrin hapa konkretë.
Sipas tij, janë bërë avancime në aspektin legjislativ të cilat iu kanë mundësuar të burgosurve trajtim dinjitoz por edhe qasje në disa të drejta që iu janë privuar.
Menaxherja e programit në QKMRT, Fatmire Haliti u shpreh se në vitin 20222 sfiduese për institucionet korrektuese vazhdon të jetë trajtimi i personave me çrregullime mendore.
Bazuar në të gjeturat e raportit në institucionet korrektueses ka ekzistuar klimë e mirë në mes të të burgosurve dhe stafit korrektues.
Sipas saj edhe respektimi i të drejtave të këtyre ka pasur përmirësime nga viti në vit, por sfiduese mbetet trajtimi i personave të varur nga narkotikët, ndërsa në rritje ndër vite vazhdon të jetë numri i lëndimeve, vetë-lëndimeve dhe tentim-vetëvrasjes.
Në këtë raport të QKRMT-së theksohet se janë bërë disa hapa për luftimin e kontrabandës dhe korrupsionit, por si dukuri vazhdon të jetë prezente në qendrat korrektuese.
Kurse, zëvendësuesi i drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani u shpreh se nuk ka burgje në Evropë apo edhe në botë që kanë monitorim të tillë siç ka Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) nga shoqëria civile dhe partnerët e tjerë strategjikë.
Dibrani u shpreh se kontrabanda vazhdon të jetë prezente në burgjet e Kosovës, por që gjatë dy viteve kanë bërë hapa në luftimin e kësaj dukurie.
Edhe kryetarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Albina Shabani-Rama ngriti si sfidë edhe për sistemin gjyqësor çështje e trajtimit të personave me çrregullime mendore.