​PDK: Qeveria e paaftë për të menaxhuar pandeminë, duhet të shkojë në shtëpi

​PDK: Qeveria e paaftë për të menaxhuar pandeminë, duhet të shkojë në shtëpi

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e quan qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti të paaftë për të qeverisur, për të menaxhuar pandeminë dhe për të ndihmuar ekonominë e vendit. E kjo sipas PDK-së është arsye që kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi sa më herët.

Deputeti i PDK-së Kujtim Gashi, në një konferencë për media tha se si parti e konsiderojnë skandaloze situatën kur ekonomia nuk përkrahet dhe që qeveria vendos ta mbyll edhe më shumë atë pa ndonjë plan të mirëmenduar.

Ai tha se qytetarët këto kohë kanë kërkuar nga ta që ta mbështesin ligjin për rimëkëmbje ekonomike, por që tha se kryeministri i vendit Avdullah Hoti kurrë nuk ka pasur një qasje serioze dhe vetëm ka bërë kalkulime politike.

“Partia Demokratike e Kosovës e konsideron skandaloze situatën kur ekonomia nuk përkrahet e mbështetet, dhe qeveria vendos ta mbyll edhe më shumë atë, e veçmas gastronominë pa ndonjë vizion e plan të mirë-menduar. Me të drejtë, shumë qytetarë, por edhe aktivistë e votues të PDK-së këto kohë kanë kërkuar mbështetjen dhe votën e PDK-së për ta votuar ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, por besoni apo jo Kryeministri Avdullah Hoti kurrë nuk ka pasur një qasje serioze dhe vetëm ka bërë kalkulime politike. Me javë të tëra, ish kryetari Kadri Veseli, pas takimeve me bizneset dhe odat ekonomike kudo në Kosovë, pati shprehur gatishmërinë duke i bërë thirrje qeverisë që të marrë parasysh kërkesat e bizneseve dhe odave ekonomike, dhe PDK-ja do ta votoj brenda ditës. Kanë kaluar javë që qeveria Hoti nuk ka reaguar. Pra është një qeveri që duhet të shkoj në shtëpi sa më herët sepse është e paaftë për të qeverisë, për ta menaxhuar pandeminë dhe ndihmuar ekonominë”, tha ai.

Deputeti Gashi tha se që nga shfaqja e pandemisë, vendi ka përjetuar dy qeveri njëra pas tjetrës, Kurti e Hoti, e të cilat tha se janë pa ide, pa vizion dhe pa ndjeshmëri për qytetarin e Kosovës.

Të dy partitë, ai tha se në tetorin e vitit të kaluar kishin mashtruar qytetarët e Kosovës me parulla boshe për “qeveri të shpresës” dhe se tash janë kthyer në “mbytës të shpresës”.


Ne sot ndodhemi para një kaosi dhe kolapsi shëndetësor dhe ekonomik, me mungesë të sigurisë dhe frikë në secilën familje se çfarë do të ndodhë nesër me fatin e secilit prej nesh…Jemi sot në këtë konferencë për të rikujtuar edhe propozimet e Partisë Demokratike të Kosovës të para 8 muajve në vlerë prej 320 milionë euro “e njohur si pako emergjente” për bizneset dhe punëtorët e sektorit privat, që në fillim ish qeveria Kurti, e më vonë edhe kjo Hoti e refuzuan, duke shikuar interesat e ngushta politike e partiake para interesit të qytetarëve. Ta keni parasysh, po e përsëris: PDK nuk ofroi vetëm propozimin e gatshëm të pakos ekonomike, por edhe 24 votat e saj në Kuvendin e Kosovës. Dhe çfarë morëm si përgjigje injorim dhe refuzim”, tha ai.

Ai tha se arroganca dhe injoranca e kësaj qeverie ka bërë që vendi tash e sa kohë të mbetet pa pako ekonomike, e cila tha se do t’i adresonte problemet me pandemi dhe ekonomi.

Deputeti Gashi tha se nga një përllogaritje e deri-tanishme, del që për 245 ditët e pandemisë, shuma mesatare që një punëtor ka përfituar nga qeveria është qesharake, ku tha se një punëtor ka përfituar 2.60 euro në ditë.

Ai ka pasur kritika edhe për masat e fundit të ndërmarra nga qeveria e vendit. Ai tha se është e palogjikshme që bizneset në zonën e verdhë të mbyllen në orën 18, ndërsa ato në të kuqen në orën 19 që ka rrezikshmëri më të lartë.

“PDK-ja nuk është kundër masave të cilat kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, dhe bëhen me propozime të profesionistëve, por paraprakisht kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që sektorin privat në Republikën e Kosovës ta subvencionojë me pako financiare dhe të sigurohen të ardhurat për punëtorët e sektorit privat. Në të kundërtën, qeveria me vendimet e pa-analizuara mire veçse do ta rëndojë edhe më shumë krizën ekonomike duke mbyllur shumë biznese dhe duke lënë pa punë mijëra punëtorë të sektorit privat, duke prodhuar kështu një krizë të re sociale”, tha ai.

Lexo edhe

Video

error: