Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

​PDK-ja siguron nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, propozon pako emergjente

​PDK-ja siguron nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, propozon pako emergjente

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar nënshkrimet në Kuvendin e Kosovës për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme më 14 prill. Seanca ka të bëjë me një pako të masave për të adresuar ndikimin e pandemisë në aspektin social dhe ekomomik, e cila arrin shifrën 320 milionë euro. Nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, përveç deputetëve të PDK-së,  i kanë dhënë edhe deputetët e AAK-së, Nismës dhe 6+. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë sot se një pako e tillë është e domosdoshme dhe se qeveria është vonuar me masat e marra, të cilat sipas tij nuk janë të mjaftueshme.

Bedri Hamza, në një konferencë për media tha se masat e propozuara nga qeveria tregojnë mungesë në aspektin profesional dhe të përvojës institucionale.

“Kemi bërë propozimin konkret që ky propozim përfshin një pako e cila shkon deri në 320 milionë euro. Pako e propozuar, që prapë po them që jemi të hapur të diskutojmë dhe të pranojmë propozime të tjera që janë të vlefshme por gjithmonë të kemi kujdes në ruajtjen e stabilitetit makrofiskal të vendit. Pagat për të punësuarit në sektorin privat të cilës si rezultat i masave të ndërmarra si pasojë e koronavirusit të paguhen nga 300 euro në muaj për 3 muaj ditë, dhe kjo shumë shkon diku deri në 72 milionë euro. Shumë ndërmarrje private edhe në fushën e shërbimeve edhe në veprimtari të tjera e kanë ndaluar aktivitetin e tyre dhe janë të ndikuara direkt në afarizmin e tyre në mënyrë negative dhe për këtë qëllim ne propozojmë një fond prej 40 milionë euro për përkrahje të ndërmarrjeve të sektorit privat”, tha Hamza.

Në pakon e paraparë nga PDK, parashihen shtesa për të punësuarit në sektorin publik, ku ata që  janë në linjën e parë të paguhen nga 300 euro shtesë për tre muaj, ndërsa të punësuarit që janë në linjën e parë, në Klinikën Infektive, në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik dhe të kenë për tre muaj nga 500 euro shtesë.

Ai tha se në pakon që e propozojnë, parashihen nga 100 euro shtesë për pensionistët, pensionistët kontribut dhënës, kategoritë e dala nga lufta, personat paraplegjik dhe tetraplegjik, viktimat e dhunës seksuale, pensionistët e përkohshëm të Trepçës dhe pensionistët e parakohshëm e TMK-së.

Gjithashtu tha se kanë paraparë subvencionimin e ndërmarrjeve publike.

Hamza tha se duhet të themelohet fond emergjent për Ministrinë e Shëndetësisë, atë të Mbrojtës dhe Punëve të Brendshme.


Gjithashtu kanë paraparë që komunat të cilat i kanë deri në 50 mijë banorë të përkrahen me nga 500 mijë euro, ndërsa ato që kanë mbi 50 mijë banorë të përkrahen me nga 1 milionë euro.

Hamza tha se kanë paraparë edhe mbështetje për komunitetet jo shumicë deri në 5 milionë euro ndihmë.

Ai përmendi tre burime të financimit për një pako të tillë që arrin shifrën prej 320 milionë euro.

“Shteti ka likuiditet, edhe sot kur po flasim shteti bruto i ka afërsisht bilancin bankar rreth 460 milionë, dhe ne po propozojmë që ky bilanc bankar të zvogëlohet pa e dëmtuar likuiditetin e shtetit, pa e rreziku shtetin, për rreth 128 milionë apo 129 milionë euro. Burimi i dytë i financimit, rritja e borxhit publik, të brendshëm Kosova vitin 2019 e ka përmbyll me borxh publik afërsisht rreth 17.5 të brutoproduktit vendor, që e ka më të ulëtin në regjion por edhe përtej kësaj, është situatë emergjente dhe ka nevojë që të jepet infuzion në ekonomi, ka nevojë që të përkrahet kërkesa dhe të ruhet fuqia blerëse, edhe të qytetarëve edhe ndërmarrjeve dhe borxhi publik të rritet për disa pikë të përqindjes që më saktësisht  rreth 140 milionë euro të kemi huazim përmes letrave me lerë në tregun e brendshëm”, tha ai.

Ndërsa burim i tretë, Hamza tha se është huazimi nga institucionet financiare ndërkombëtare.

“Dhe, e fundit është huazimi nga institucionet financiare ndërkombëtare, unë kam informata edhe më konkrete por po e lë këtë në nivel të institucioneve financiare ndërkombëtare, rreth 52 milionë euro dhe këto burime kishin me qenë të mjaftueshme për financimin e nevojave të cilat i shpalosa më herët”, shtoi ai.

Ai tha se mund të ketë edhe përkrahje prej Bashkimit Evropian, Bankës Botërore, dhe institucioneve të tjera.

 

Lexo edhe

Video

error: