​Osmani: U bashkuam për të përkujtuar kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit Rugova

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, bashkë me ish-presidentët e tjerë të Kosovës, kanë vizituar muzeun “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës dr.Ibrahim Rugova”, në kuadër të aktiviteteve që janë mbajtur për të shënuar Ditën e Presidentit.

Aty, kryetarja e shtetit tha se janë bashkuar për të përkujtuar kontributin e presidentit historik, për çka tha se i njëjti duhet përcjellë gjeneratave të reja.

“Prandaj edhe sot më 24 maj siç po e shihni këtu kujtimet nga ajo ditë e vitit 1992 ku edhe votonte presidenti Rugova, u bashkuam serish për të përkujtuar këtë kontribut të jashtëzakonshëm për vendin tonë, për popullin tonë, dhe për tu siguruar që këtë mesazh për këtë punë, për këtë sakrificë të madhe, këtë kontribut të madh, t’i dërgohen edhe brezave të ardhshëm dhe gjeneratave të reja në mënyrë që ato mos të harrohen kurrë”, ka thënë Osmani.

E ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka kërkuar që të ky muze të pasurohet edhe me fakte të tjera, që lidhen me njerëzit që kanë dhënë kontribut por janë vrarë nga policia e ushtria serbe.


“Ekspozitat vijnë dhe shkojnë, por mban kontinuitetin dhe korrektësinë ndaj njerëzve, unë e kisha nxjerrë edhe fotografinë e Mikel Markut, pse mos të jetë ajo fotografi, pse mos të jetë një fotografi e nxënësve dhe studentëve të helmuar në fazën e parë të krizës së madhe që e fillon Kosova dhe të tjerë, por nuk them se nuk e bëni herën tjetër. Keni shumë momente për të ecur në lëvizje të ekspozitës, në zhvillim, mos i harroni njerëzit”, ka thënë Sejdiu.

Ndërsa ish-presidenti Behgjet Pacolli ka theksuar nevojën e krijimit të një muzeu që do të shpaloste faktet për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Kisha dashur shumë që ne këtu në Kosovë mos të harrojmë, por të bëjmë çmos me donacione prej vullnetit të mirë, kemi mundësi të bëjmë një muze, vërtetë një muze për atë çka ka ndodhur në Kosovë, ka ndodhur një gjenocid i vërtetë dhe nuk guxojmë që kjo të shkojë në harresë”, ka thënë Pacolli.

Në Kosovë sot është shënuar Dita e Presidentit ku është nderuar presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova.

24 maji ishte shpallur Dita e Presidentit nga presidenti Ibrahim Rugova. 

Lexo edhe

Video

error: