​Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja izraelite: Kosova dhe Izraeli do t’i thellojnë raportet ndërshtetërore

​Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja izraelite: Kosova dhe Izraeli do t’i thellojnë raportet ndërshtetërore

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e parë e shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tammy Ziv.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Osmani ka rikujtuar raportet miqësore me popullin izraelit edhe përpara vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Populli i Kosovës ka hapur dyert dhe zemrat për popullin hebre në ditët më të vështira, e sot, qëndrojmë të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, sigurinë, inteligjencën, shëndetin dhe arsimin. Bashkëpunimi ndërshtetëror do të thellohet tutje”, tha Osmani.


Memorializimin e viktimave të Holokaustit, Osmani e ka cilësuar si një mësim, të cilin mund ta marrë Kosova nga Izraeli për t’i kujtuar viktimat e luftës dhe për t’i shqyrtuar mundësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në këtë drejtim.

Këtë iniciativë, Osmani e kishte filluar në bashkëpunim me kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) gjatë periudhës si kryetare e Kuvendit të Kosovës, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se ambasadorja Ziv e falënderoi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj popullit hebre në ditët më të errëta e deri më sot, si dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për thellim të raporteve në të gjitha fushat. Ambasadorja përmendi hapat e ndërmarr deri më tani, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në energjetikë, kulturë, turizëm, rritjen e këmbimeve tregtare, shtimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe memorializimin e luftës.

Osmani kërkoi mbështetjen e Izraelit edhe në fushën diplomatike, gjegjësisht në fitimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Osmani kërkoi që Izraeli t’i heqë përfundimisht vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet.

Lexo edhe

Video