Kosova është nën sulm, ka thënë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, derisa ka folur në një intervistë për Christiane Amanpour në CNN.
Ajo ka theksuar kërkesën e Kosovës që shteti serb të dorëzojë kriminelin Millan Radoiçiq, i cili pranoi përfshirjen e tij në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Osmani ka thënë se Serbia nuk ka histori të mirë për vënien e drejtësisë.
“Kosova është nën sulm. Kosova është viktimë e një akti agresioni që ndodhi vetëm një javë më parë. Natyrisht, gjëja e parë që duam është që Radojiçiq dhe terroristët e tjerë t’i dorëzohen Republikës së Kosovës, në mënyrë që të vendoset drejtësia e vërtetë. Serbia nuk ka një histori të mirë për sa i përket dhënies së drejtësisë. Nuk ka pasur asnjë rast të vetëm që kriminelët që kanë kryer krime lufte dhe gjenocid në Kosovë dhe Bosnje të jenë vënë para drejtësisë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se “ka vetëm një palë konstruktive në atë dialog dhe ajo ka qenë Republika e Kosovës e cila ka zbatuar mbi 99% të obligimeve të saj nga këto 12 vite, është pikërisht e kundërta e asaj që ka bërë Vuçiq”.
Osmani: Serbia të sanksionohet përndryshe do të inkurajohet të përdorë dhunë pas dhune
Gjatë intervistës në CNN, Osmani ka thënë se nuk ka ende asnjë konfirmim që ushtria e Serbisë është larguar nga kufiri me Kosovën.
“Nuk ka ende asnjë konfirmim që kjo ka ndodhur dhe ne po punojmë shumë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë të komunitetit transatlantik për ta konfirmuar këtë, por është shumë e rëndësishme të theksohet se ndërsa flasim, Kosova po përballet me sfida të paprecedenta, sfida të sigurisë që rrjedhin nga akti i agresionit të Serbisë që ndodhi më 24 shtator. Ishte një akt i qartë agresioni i urdhëruar nga vendimmarrësit, nga organi shtetëror i Serbisë, i kryer nga terroristët dhe grupet paramilitare. Por ky akt agresioni nuk ndodhi menjëherë, ai ishte i planifikuar, i mirëstrukturuar dhe i përgatitur me të vetmin qëllim aneksimin e veriut të Kosovës në ‘stilin e Krimesë’. Fatmirësisht policia e Kosovës me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë e ndaloi zbatimin e këtij plani”, ka deklaruar presidentja Osmani.
Edhe njëherë, Osmani ka theksuar nevojën që Serbia të sanksionohet në të kundërtën sipas saj Serbi do të inkurajohej të përdorë dhunë pas dhune.
“Ata duan të vazhdojnë përshkallëzimin, duan të vazhdojnë planin e tyre për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe përmes kësaj t’i lejojnë Putinit të hapë një front të ri kundër Perëndimit në Ballkanin Perëndimor. Ne po punojmë me aleatët dhe partnerët dhe nuk do ta lejojmë të ndodhë. Megjithatë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndalohet kjo duke e ndëshkuar Serbinë duke e sanksionuar Serbinë. Përndryshe, nëse nuk do të ketë sanksione dhe masa të ashpra ndaj Serbisë pas këtij akti agresioni, ata do të inkurajohen të përdorin dhunë pas dhunës dhe jo vetëm kundër Kosovës, por edhe ndaj pjesës tjetër të rajonit”, ka thënë Osmani, raporton KosovaPress.
Osmani: Duam drejtësi në dialog
Presidentja Osmani ka thënë se Kosova kërkon drejtësi në dialog.
Ajo ka theksuar se mungesa e një ekuilibri në këtë proces e ka inkurajuar presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq të veprojë siç bëri të dielën, të kryejë një akt agresioni.
“Kur është fjala për Republikën e Kosovës atë që kemi ndërmarrë në Marrëveshjen e Brukselit në shkurt të këtij viti, atë që kemi ndërmarrë në aneksin e Ohrit në mars të këtij viti, Kosova është zotuar se do ta zbatojë dhe Kosova do t’i zbatojë obligimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje…Kjo do të thotë ajo që parashikon neni 7 i asaj marrëveshjeje, që është vetëmenaxhimi për serbët, dhe kjo nënkupton edhe nenet e tjera”, ka thënë Osmani në intervistën e dhënë për CNN.
Osmani ka përmendur edhe sulmet e majit në veri të vendit.
“Por të mos harrojmë atë që kërkon Kosova, e cila është shumë e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë. Ne duam ekuilibër, duam drejtësi në atë dialog, që për fat të keq nuk e arritëm, dhe se mungesa e ekuilibrit dhe mungesa e drejtësisë në proces e ka inkurajuar gjithashtu Vuçiqin të veprojë siç bëri të dielën, të kryejë një akt agresioni sepse ai beson se mund t’i ikë dënimit/fajit. Grupet e tij kriminale kanë sulmuar 93 ushtarë të KFOR-it në maj, nuk ka pasur asnjë përgjegjësi, kështu që tani ata menduan se mund t’i ikin përgjegjësisë andaj ata sulmuan Kosovën”, ka shtuar Osmani.