​Osmani pas fitores së Distrias: Vajzat në Kosovë e kanë kuptuar që nuk ka pengesë që nuk tejkalohet

​Osmani pas fitores së Distrias: Vajzat në Kosovë e kanë kuptuar që nuk ka pengesë që nuk tejkalohet

Presidentja Vjosa Osmani pas fitores së Kosovës në Lojërat Olimpike në Japoni ka thënë se vajzat e Kosovës e kanë kuptuar që nuk ka pengesë që nuk tejkalohet me punë e sakrificë. Sipas saj, xhudistja Distria Krasniqi e cila mori medaljen e artë është nder i Kosovës.

Osmani nga Tokio për RTK ka thënë se shteti i Kosovës po shkëlqen në arenën ndërkombëtare.

“Është e pamundur të përshkruhet me fjalë. Sot Distria Krasniqi për të dytën herë me radhë i dha Kosovës nderin më të madh jetësor. I dha Kosovës medaljen e artë olimpike. Është një krenari e jashtëzakonshme, e pa përshkueshme. Dhe sot jam e bindur që të gjitha vajzat në Kosovë e kanë kuptuar që nuk ka pengesë që nuk tejkalohet me punë dhe me mund e sakrificë. E me talent siç e ka Dristria, Majlinda e të gjitha xhudistët e xhudistët tanë. Dua t’i falënderoj nga thellësia e zemrës për këtë nder të madh që i kanë bërë shtetit të vet, duke ngritur flamurin e Kosovës në piedestalin më të lartë”, ka thënë ajo.


Tutje, Osmani ka shtuar se Kosova është e pamposhtur në shumë fusha, marrë parasysh që Distria Krasniqi mposhti edhe shtetin që zbuloi këtë sport.

Ndërsa, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi ka shtuar se xhudistët nga Peja janë Trepça e Kosovës.

“Për neve është një kënaqësi e veçantë, emocione të papërshkrueshme. Distria Krasniqi e bëri Kosovën për herë të dytë të artë. Dua të falënderoj trajnerin Driton Kuka, kryetarin e Federatës së xhudos, Agron Kuka të cilët janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme edhe padyshim që mund ta quaj Trepçën e Kosovës sot, sepse vërtetë xhudo nga Peja po na bën krenar dhe të artë për të dytën herë”, ka shtuar Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se Majlinda Kelmendi është heroina e Kosovës, ndërkohë që Distria po vazhdon të shkruaj historinë e vendit. Kjo e fundit në finalen e sotme u ndesh me japonezen Funa Tonaki. Kjo është medalja e dytë e artë për Kosovën në Lojëra Olimpike, në të parën Majlinda Kelmendi mori të artë në Rio 2016.

Lexo edhe

Video