​Osmani në Austri e Kurti në Slloveni, liderët pjesëmarrës në forume të ndryshme

​Osmani në Austri e Kurti në Slloveni, liderët pjesëmarrës në forume të ndryshme

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti do të qëndrojnë jashtë shtetit ditët e ardhshme pasi do të marrin pjesë në dy forume në dy vende të ndryshme.

Kurti ka udhëtuar për në Bled të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit – BSF 2023.

Siç bën të ditur Qeveria, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në këtë forum, Kurti sonte (e diele) do të marrë pjesë në darkën e punës së ftuar nga kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Robert Golob, ndërkaq të hënën do të jetë pjesë e një paneli të diskutimit së bashku me liderë të rajonit, si dhe do të zhvillojë disa takime bilaterale.


Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani Sadriu, ka udhëtuar për në Alpbach të Austrisë për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian Alpbach 2023.

Në këtë forum, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor në hapje të forumit, i cili do të fokusohet në rishikimin e politikës aktuale të zgjerimit, adresimit të sfidave aktuale politike dhe të sigurisë, si dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.

Presidenca njofton se Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej.

Forumi Evropian Alpbach është ndër institucionet më prestigjioze në Evropë, i cili nga viti 1945, mbledhë çdo vit liderë, nobelistë, akademikë, shkencëtarë dhe personalitete të ndryshme nga mbarë bota për të diskutuar idetë për një Evropë më të fortë dhe më demokratike.

Lexo edhe

Video