​Osmani nderon me medalje ish-presidenten e Zvicrës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë” ish-presidenten e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey. Dekorata iu nda për kontributin e saj në procesin e pavarësisë së Kosovës dhe mbështetjes së vazhdueshme për vendin. Në këtë ceremoni, presidentja Osmani tha se Calmy-Rey ishte liderja e parë në Evropë që tha se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe për këtë populli kosovar ndjehet falënderues.

Osmani tha se Kosova ishte viktimë e një agresioni brutal dhe regjimi gjenocidal por kishte miq në mbarë botën të cilët siç tha ajo, qëndruan në anën e duhur të historisë.


“Ne ju ftuam me këtë qëllim që të ju falënderojmë në emër të popullit të Kosovës, dhe në të njëjtën kohë të jemi në gjendje të japim shembull për gjeneratat e ardhshme që duke qëndruar në anën e duhur të historisë, veçanërisht në ditët e sotme kur arkitektura e sigurisë së Evropës është sërish nën kërcënim, kur demokracia është sërish nën sulm, qëndrimi në anën e duhur të historisë, kur këto vlera janë nën sulm, është gjithmonë zgjidhja më e mirë. Qëndrimi me njerëzit që u shtypën nga një tiran është gjithmonë gjëja e duhur për t’u bërë. Faleminderit për gjithçka që keni bërë dhe kam nderin që në emër të popullit të Kosovës edhe një herë t’ju them faleminderit për kontributin tuaj të çmuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke qenë liderja e parë në Evropë që tha se Kosova duhet të jetë e pavarur, duke kuptuar kaq herët se kjo ishte zgjidhja e vetme për paqen dhe stabilitetin në këtë pjesë të botës”, tha Osmani.

Në anën tjetër, Calmy-Rey e kujtoi kohën kur Kosova ishte shpallur shtet i pavarur duke theksuar se Zvicra ishte shteti i parë që foli për Pavarësinë e Kosovës para Këshillit të Sigurimit.

Siç e dini, unë sapo isha përfshirë në pavarësinë e Kosovës, sepse Zvicra në vend që të thotë standarde para statusit, ne duhej ta ndërronim, dhe të thonim statusi para standardeve, ju e dini që njerëzit në Kosovë kanë përgjegjësi për të punuar për vendin e tyre. Pra, Zvicra, siç thashë, ishte shteti i parë që foli për pavarësinë e Kosovës para Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, dhe më pas u futa në skenën ndërkombëtare si avokues i pavarësisë së Kosovës. Kjo më kujton luftën e popullit zviceran për liri” tha ajo.

Lexo edhe

Video