​Osmani: Drafti gjerman për asociacionin “fake news”, iniciativa intensifikon dialogun Kosovë – Serbi

“Fake news” e ka quajtur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, “draftin për asociacionin”. Ajo të premten tha se iniciativa franko-gjermane ka për qëllim intensifikimin e dialogut Kosovë-Serbisë.

E para e shtetit tw premten tha se Gjermania dhe aleatët e tjerë nuk do të kërkojnë nga Kosova asgjë që është në kundërshtim me Kushtetutën e saj.

“Deri tani ajo çka mund t’ju garantoj është që qëllimi i partnerëve tanë është qëllimi i mirë, që ky proces të përfundojë sa më parë dhe po ashtu që asnjëherë askush nga partnerët nuk ka kërkuar nga Kosova që të hiqet dorë nga njohja reciproke. Prandaj, dua t’i drejtohem qytetarëve të Kosovës, që të rrinë të qetë, sepse në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë, jo që po kërkohet një gjë e tillë, por nuk do të lejojmë që të preket sovraniteti, integriteti territorial i vendit tonë, e aq më pak funksionaliteti i brendshëm i Kosovës. Në krye të Republikës janë njerëzit që kanë parandaluar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën jo të tjerët, kështu që rrini të qetë”, theksoi Osmani.

Në një konferencë për media në prag të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Osmani e ka quajtur lajm të rremë “draftin gjerman për asociacionin”.

Ajo tha se një draft i tillë nuk ekziston e as nuk do të ekzistojë.

“Nuk e kam atë draft në tavolinë, sepse është ‘fake neës’. Pra, nuk është e vërtet që ekziston një draft gjerman që i është dorëzuar institucioneve të Kosovës dhe as nuk do të ketë. Kjo për shkak se qëndrimi i partnereve tanë është i qartë dhe atë nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin, por edhe e pjesa e dytë e kërkesës është shumë me rëndësi, e përmendin që se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Kushtetueses. Në takimin që kishim me Sekretari amerikan Blinken në ShBA, ai rikonfirmoi se nga Kosova nuk do të kërkohet asgjë që do të bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, nuk ka ndonjë version ose dokument që e kemi diskutar me zotri Escobar. Ajo çka kemi diskutuar janë parimet e përgjithshme, që unë i kam thënë vazhdimisht në publik”, tha ajo.

Osmani ka folur edhe për propozimin e Gabriel Escobarit për shtyrjen për 10 muaj të vendimit për targat.

Presidentja e vendit tha se shtyrja e vazhdueshme nënkupton se po tolerohen kërcënimet e bandave serbe ndaj serbëve lokalë të Kosovës. Ndërsa, ajo u shpreh bindur se 90 për qind e serbëve që jetojnë në vend i kanë ndërruar targat në “RKS”.


“Kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Mos të harrojmë që mbi 90 për qind të serbëve që jetojnë në Kosovë tashmë i kanë targat ‘RKS’, pra e respektojnë ligjin dhe parimin e barazisë para ligjit për të gjithë pavarësisht etnisë. Ekziston një grup i vogël i serbëve që akoma nuk e kanë bërë këtë ndryshim dhe shumicën dërmuese nuk e kanë bërë për një arsye të vetme, sepse ata kërcënohen nga bandat kriminale që paguhen dhe mbështeten politikisht nga Aleksandër Vuçiq. Dhe shtyrja e vazhdueshme nënkupton që po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë. Prandaj, po e themi që kjo mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, nuk është kurrsesi kundër serbëve”, u shpreh ajo.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Osmani pret që vendimi për vizat të merret më së largu në dhjetor të këtij viti.

Sipas saj, ky vendim do të duhej të merrej gjatë presidencës çeke.

“Nga shumica kam marrë garanci të tillë,  dhe jo vetëm që nuk do kërkojnë kriter shtesë, por edhe do kundërshtojnë dhënien e kritereve shtesë, kritere teknike, të cilat në fakt kanë përfunduar në vitin 2018… Dhe nuk munden tani të vendosen kritere të reja teknike të cilat do të bllokonin vendimmarrjen politike. Tani mirëkuptim kemi nga shumica dërrmuese, ka 2-3 shtete që i kanë disa shqetësime me të cilat po merremi intensivisht. Jemi çdo ditë, jo vetëm ne, por edhe diplomatët tanë duke u marrë me këtë temë me shpresën e plotë që në takimet e radhës që do të mbahet në nivel të grupeve punuese për viza, i pari është më 9 nëntor, të sigurohemi që mos të ketë bllokadë dhe pastaj të shkojë aty ku vendosin ambasadorët dhe pastaj në vendimmarrjen e fundit politike. Është e domosdoshme që vendimmarrja politike të përfundojë gjatë Presidencës Çeke dhe po shpresojmë që vendimi merret më së largu deri në dhjetor dhe pastaj hyn në fuqi sipas praktikave të deritanishme që është deri në 6 muaj, e jo të lidhet me procesin e ETIAS që askush në Komisionin Evropian nuk e di se kur do të hyjë në fuqi”, tha Osmani.

Gjatë kësaj konference, presidentja e Kosovës ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginë të Preshevës që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë që ka nisur më 1 tetor dhe zgjatë deri më 31 tetor.

Ajo shtoi se shqiptarët duhet të bashkohen kundër politikës shoviniste të Serbisë.

“Derisa Serbia nëpërmjet politikës shoviniste vazhdon të përdorë spastrimin etnik si mjet administrativ për t’i larguar shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Buajnoci, Lugina, të gjithë shqiptarët ku do që janë duhet të bashkojnë forcat duke eliminuar pengesat që Serbia po i bën në procesin e regjistrimit të popullsisë që po ndodhë tani. Përgjatë këtyre javëve kam pasur takime me institucione vendore dhe me partnerë ndërkombëtarë, ku kam ngritur këtë çështje, kam kërkuar që partnerët tanë, ndërkombëtarët të takohen me liderët politikë nga Presheva, Medvegja dhe Buajnoci”, theksoi ajo.

Osmani bëri të ditur se të hënën e javës së ardhshme do t’i takojë liderët shqiptarë nga Lugina e Preshevës.

Lexo edhe

Video