​Osmani: Biblioteka Presidenciale do të dokumentojë historinë e shtetformimit të Kosovës

​Osmani: Biblioteka Presidenciale do të dokumentojë historinë e shtetformimit të Kosovës

Në ditën e parë të Javës së Bibliotekës në Kosovë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se sot fillon puna edhe në Bibliotekën Presidenciale. Osmani ka thënë se kjo bibliotekë do të promovojë vlerat e demokracisë dhe të shtetit të Kosovës dhe se e njëjta do të do jetë edukim dhe frymëzim për gjeneratat e reja.

Në aktivitetin e organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, kryetarja e shtetit ka thënë se roli i bibliotekave duhet të bëhet sa më i dukshëm dhe të njihet funksioni i tyre si një ndër shtyllat e forta të popullit të Kosovës.

“Kam nderin dhe entuziasmin e veçantë që pikërisht sot në ditën e hapjes së Javës së bibliotekës, por edhe në ditën kur me disa aktivitete po e shënojmë Ditën e Presidentit, e shpallur si e tillë nga presidenti historik dr.Ibrahim Rugova, t’ua kumtoj qytetarëve të Kosovës lajmin se nga sot nisë punën edhe Biblioteka Presidenciale dr.Ibrahim Rugova, e ndërtuar sipas modelit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e cila është po ashtu fryt i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve tona në radhë të parë por edhe përkrahjes së pakursyer të miqve tanë, nga SHBA-të”, ka thënë Osmani.

Ajo ka bërë të ditur se këtë vendim do ta pasojë marrëveshja e bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës e cila do të nënshkruhet këto ditë, përfshirë Bibliotekën Kombëtare, Arkivin e Shtetit dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës, për ngritjen profesionale të Bibliotekës Presidenciale.

“Kjo bibliotekë do të mbledhë dhe do të ruajë dokumente zyrtare e personale, artefakte e materiale historike që dokumentojnë historinë e shtetformimit dhe jetën institucionale të Kosovës, mbi të gjitha në periudhën e rëndësishme të udhëheqjes dhe kontributit të presidentit historik por edhe shumë bashkëpunëtorëve të tij të cilët edhe sot i shoh këtu mes nesh. Misioni i kësaj biblioteke do të jetë t’ia ofroj çdo qytetari mundësinë e qasjes në këtë arkiv duke mbështetur kështu hulumtimin dhe kuptimin më të mirë të historisë sonë kombëtare, vuajtjet e sakrificat nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë e shteti ynë”, ka thënë Osmani.


Në hapjen e Javës së Bibliotekës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se zhvillimi i librit dhe çdo iniciativë rreth tij duhet të shtyhet përpara.

“Ne duhet të tentojmë që bibliotekat kombëtare në përgjithësi, por edhe përmes aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, të afrojë jo vetëm ata që shquhen për kontribut akademik por të gjithë ata, edhe jashtë këtij holli, fëmijë e të rritur, në Prishtinë e qytete të tjera, e në fshat. Në kohën në të cilën po jetojmë ku teknologjia ka marrë primatin, libri e shkrimi veç sa është rritur duke konfirmuar kështu edhe njëherë që në fakt dhe vet komunikimi është dhe do të jetë forma që definon ekzistencën tonë si njerëzim. Andaj është prioritet i yni, i gjithmbarshëm shoqëror por edhe shtetëror që të shtyjmë përpara zhvillimin e librit dhe çdo iniciativë rreth tij”, ka thënë Çeku.

Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku ka thënë që synojnë përmes kësaj jave të japin mesazhin e ngritjes së vetëdijes publike për mbledhjen, përpunimin dhe kthimin e materialeve në formatin dixhital.

“Jemi të vetëdijshëm që na duhet bashkëpunim dhe përkrahje në këtë betejë, na duhet një forum komunikimi si ky që do të zhvillohet, si dhe një platformë për një iniciativë të përbashkët në këtë fushë të specializuar të ruajtjes së trashëgimisë, një iniciativë specifike konkrete që të mund të vendosen hapat paraprak dhe rezultatet e arritshme. Ne e vlerësojmë shumë praninë e presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Vjosa Osmani, ministrit të Kulturës zotit Hajrulla Çeku, si një mesazh mbështetës për të punuar në suksesin e fushatës kombëtare për mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve audiovizuale”, ka thënë ai.

Tema e edicionit të 18 të Javës së Bibliotekës në Kosovë është Kujtesa kombëtare; koleksionet audiovizuele dhe efemeret.

Aktivitetet synojnë një fushatë kombëtare për të rritur ndërgjegjësimin për bibliotekat e Kosovës, arkivat dhe muzetë, të mbledhin, ruajnë dhe ofrojnë në shërbim materiale audiovizuale dhe efemeret.

Lexo edhe

Video

error: