​Osmani: Askush nga Kosova nuk ka bërë trafikim organesh, Dick Marty tentoi të shtrembërojë të vërtetën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Dick Marty ka tentuar të shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë, luftën gjenocidale të Serbisë kundër popullit të Kosovës. Osmani ka thënë se askush nga Kosova nuk ka bërë trafikim organesh, çka sipas saj edhe vet prokurorë të Hagës i kanë hedhur poshtë thashethemet e senatorit zviceran.

E pyetur për rezolutën e miratuar dje në Kuvendin e Shqipërisë për pabazueshmërinë e pretendimeve që janë në raportin e miratuar në Këshillin e Evropës, Osmani ka thënë se Kuvendi e ka shprehur atë që e thotë çdo shqiptar kudo, që lufta e UÇK-së nuk mund të zhbëhet dhe as të ndërrohet historia.

“Dick Marty ka tentuar të shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë, një luftë gjenocidale e Serbisë kundër popullit të Kosovës, por përgjigjen e ka marrë edhe nga vet prokurorë të Speciales. Siç e dini, prokuroi Ëilliamson ndër të tjera në raportin e tij thotë që nuk ka argumente për trafikim organesh. Pra këto thashetheme të cilat atëherë ishin miratuar në një raport të Këshillit të Evropës tashmë kanë rënë në tokë, para shumë vitesh. Siç e dini Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ne mirëpresim ndihmën nga Republika e Shqipërisë dhe nga shtetet anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare dhe natyrisht që në momentin që Kosova është anëtare në këtë organizatë do të ketë të drejta të plota sikurse edhe deputetët tjerë që sot kanë të drejtë vote, të drejtë të paraqesin amandamente në dokumente të ndryshme brenda Këshillit të Evropës, dhe atëherë Kosova do të ketë mundësi të bëjë propozime brenda vet organizatës që e pat miratuar atë raport”, ka thënë Osmani.

Osmani, në një konferencë të përbashkët me presidentin Ilir Meta ka thënë se askush nga Kosova nuk ka bërë trafikim organesh siç ka pretenduar Marty, çka sipas saj edhe prokurorë të Hagës i kanë hedhur poshtë ato pretendime.

“Edhe vet prokurorë të Hagës i kanë gjuajtur në pleh ato gojëdhëna e thashetheme të Dick Martyt sa i përket kinse trafikimit me organe gjë të cilën askush nga Kosova nuk e ka bërë. Pikërisht në logjikën e shekullit të nëntëmbëdhjetë që ka vazhduar edhe në shekullin e njëzetë, me vrasjen e shumë intelektualëve shqiptare, nëpërmjet UDB në atë kohë, Serbia edhe sot vazhdon që të përgatisë lloj – lloj kompletesh e lloj – lloj sulmesh që kanë tentuar edhe kundër vetë Dick Martyt në mënyrë që ta fajësonte pastaj Kosovën. Të gjitha këto të vërteta ne i themi në çdo cep të botës, kudo që shkojmë dhe jemi shumë krenarë për këtë të vërtetë të cilën do ta mbrojmë sot e kurdo herë”, ka thënë presidentja Osmani.

Me e rëndësishme se vizita në Hagë, sipas Osmanit është bashkëpunimi dhe sigurimi i mbrojtjes së nevojshme për të akuzuarit.


“Me rëndësi është çka ndërmarrim në në këtë aspekt, e jo vizitat, me rëndësi është sa bashkëpunojmë ne dhe sa sigurohemi si shtet që të gjithë ata që akuzohen e kanë mbrojtjen e nevojshmeve, kanë mbrojtjen kualitative të cilën siç e dini e paguan shteti i Kosovës dhe ka koordinim të vazhdueshëm edhe me miqtë tanë ndërkombëtar, të sigurohemi që ajo që është miratuar ne Parlamentin e Kosovës me dy të tretat po ashtu të zbatohet. Edhe një gjë, ne nuk harrojmë sado që dikush edhe mund të ketë një dëshirë të tillë, se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh, nuk e harrojmë sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se e vërteta e pastër e luftës së UÇK-së nuk do të mund të ndryshohet asnjëherë nga askush, pavarësisht përpjekjeve të Serbisë dhe aleatëve të saj.

Ajo ka thënë se nga institucionet e Kosovës nuk ka pse të pritet përshëndetje speciale për rezolutën e miratuar dje në Kuvendin e Shqipërisë, meqë sipas saj, institucionet e Kosovës konfirmojnë çdo ditë pastërtinë e luftës së UÇK-së.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë në koordinim të përditshëm në këtë temë.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen çdo ditë me njëra tjetrën, jo vetëm me njëra tjerrën, edhe me fqinjët e tjerë, por sidomos Shqipëria dhe Kosova sepse nuk është thjesht çështja e një procesi kundër drejtuesve të UÇK, ai është një proces kundër shtetësisë së Kosovës është një proces kundër pavarësisë së Kosovës, është proces kundër forcimit të brendshëm dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe ne duhet të koordinojmë çdo ditë në mënyrë që shtetësia e Kosovës të forcohet akoma më tej në mënyrë që pozita e Kosovës të përforcohet akoma më tej dhe kemi shumë për të bërë në këtë çështje në të ardhmen”, ka thënë Meta.

Ai ka shtuar se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë çdo gjë në mbështetje të kësaj beteje.

“Jo vetëm rezoluta e djeshme pro çdo akt që i shërben demantimit të akuzave të Dick Martyt dhe kujto qoftë, të gjithë e dimë se kush ka qëndruar dhe kush qëndron pas këtyre akuzave kundër Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, gjithçka është shumë e rëndësishme dhe shumë pozitive. Dua të shpreh bindjen time të plotë dhe të palëkundur siç e kam pasur edhe në rastet e ish-drejtueseve të tjerë të UÇK-së të cilët kanë fituar pafajësinë dhe i kanë provuar gjithë botës drejtësinë e kësaj lufte Çlirimtarë dhe vetëmbrojtëse, se edhe ish-presidenti Thaçi, ish-krye parlamentari Veseli dhe Krasniqi, dhe drejtues të tjerë, do të dinë ta mbrojnë me shumë dinjitet këtë luftë të drejtë të popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.