​Opozita kërkon shkarkimin e bordit të ZRrE-së, pozita nuk e mbështet

Derisa partitë opozitare edhe sot nga Kuvendit i Kosovës kërkuan me mocion shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, të iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet deklarohet se nuk do ta votojë mocionin për shkarkim të Bordit të ZRrE-së.

Arsyetimin për shkarkim të Bordit e ka dhënë deputeti i LDK-së, Armend Zemaj  i cili tha se kjo kërkesë vjen pasi bordi i ZRrE-së  nuk ka arritur të përmbush  objektivat dhe nuk ka arritur që t’i mbrojë interesat e përgjithshme të qytetarëve.

“Qëndrimi i LDK-së është i njohur bordi i ZRrE-së nuk ka arritur që të përmbush objektivat të cilat ia ka parashtruar edhe mandati i Kuvendit që t’i mbrojë interesat e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës, ata në mënyrë të padrejtë kanë bërë shtrenjtimin e energjisë elektrike, nuk janë transparentë në këtë pjesë, ka dy vendime të gjyqësorit të cilat është tentuar të pezullohen deri në një vendim meritor të kësaj çështjeje qytetarët janë duke e paguar këtë papërgjegjësi dhe për këtë arsye edhe me shkrim iu kemi  drejtuar Kuvendit të Kosovës dhe komisionit funksional që ky bord të shkarkohet dhe të emërohet një bord profesional i pavarur nga politika, i pandikuar   drejtpërdrejt nga grupet e interesit dhe Qeveria dhe qytetarët të mos ndëshkohen”, theksoi Zemaj.

Duke bërë ftesë që të votohet shkarkimi i bordit të ZRRE-së, Ferat Shala nga PDK tha se kjo kërkesë sa është e ligjshme është edhe aq e moralshme.

“Veprimet politike të Bordit të ZRRE-së  janë po ashtu tepër të dukshme të cilat po ashtu bien ndesh me pavarësinë e tij, mos efikasiteti i Bordit të ZRRE-së në koordinim  dhe në bashkërendim të hapave në kuadër të ligjit  në fazën e hershme të krizës energjetike është shkaktar tjetër. Fushata e rrejshme  për gjendjen e sektorit energjetik, vendimi i ZRRE-së për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave manipulimit dhe shifra me fakte për prodhimin  e konsumit nga ZRRE-ja paraqiten jo reale,  pasqyrimi vetëm i importeve dhe fshehja e sasisë të eksporteve të energjisë, kalkulimet për periudhë një vjeçare për një krizë një mujore reale…Gjithë ky proces i improvizuar sa politik aq edhe taktik dhe financiar  nënkupton shkelje të mëdha ligjore që  ZRRE edhe e ka pasur edhe ka obligim ligjor, është përfshirë në fushata politike duke krijuar situata të paqena mbi bazën e konsumit, importeve, eksporteve dhe e ritheksoj shkeljet  e kësaj natyre  janë tepër të mëdha, pasojat janë tepër të mëdha”, theksoi Shala. 


Pro shkarkimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike është shprehur edhe Grupi Parlamentar të AAK-së.

Albana Bytyqi deputete nga kjo parti tha se bordi i ZRrE-së në këtë kohë krize me vendimet e tij vazhdimisht ka dëmtuar qytetarët e Kosovës.

“Fatkeqësisht u bë shtrenjtimi i energjisë elektrike i cili është vendim i gabuar i Qeverisë Kurti dhe ZRrE, vendim i propozuar nga ZRrE mbi ndarjen e kategorive të shpenzuesve të energjisë elektrike dhe  subvencionimi i shpenzuesve është vendim i kundërligjshëm pasi ka diskrimunuar  qytetarët e Kosovës duke i ndarë në grupe duke thyer ligjin për barazi dhe të drejta të njeriut. Vendimi ZRRE dhe mbështetja nga Qeveria Kurti që komunat veriore të mos kenë rritje të tarifave ka qenë standard i dyfishtë dhe vendim i gabuar që ka lënë pasoja në shtetin e Kosovës”, theksoi ajo.

Kurse, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se kjo kërkesë për shkarkim të bordit të ZRRE-së përveçse nuk e ka pas arsyetimin e bindshëm ka edhe shpërputhje me dispozitat ligjore që i parasheh Ligji për rregullatorin e energjisë.

Ajo tha se si Lëvizje Vetëvendosje nuk do ta mbështesin mocionin për shkarkim të  bordit të ZRRE-së.

“Bordi i ZRRE-së është vetëm 1 vit në detyrë. Asnjë dispozitë e Ligjit të bordit të ZRRE-së nuk është e aplikueshme në kërkesën e prezantuar të LDK-së. Shto këtu disa argumentime tjera që janë jashtë mocionit për shkarkim në të cilat paragjykohet ndërlidhja politike përkundër që anëtarët e Bordit të ZRRE-së ishin punëtorë, profesionalisht në kuadër të ZRRE-së ishin përbrenda dhe nuk u sollën nga jashtë kanë aplikuar dhe janë zgjedhur dhe votuar Kuvendit. Gjithashtu u përmenden vetëm dy instanca të gjykatës dhe jo ajo e treta e Supremes e cila ka hedhur poshtë dy vendimet e asaj themelore të Apelit….Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje nuk e mbështet mocionin e prezantuar nga LDK dhe rrjedhimisht do të votojë kundër këtij mocioni”, tha ajo.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.