​Opozita dhe shoqëria civile konsiderojnë të dëmshme krijimin e Gjykatës Komerciale për bizneset

Në dëgjimin publik për Projektligjin për Gjykatën Komerciale, përkundër pozitës dhe komunitetit të biznesit që konsideruan si të domosdoshme krijimin e kësaj gjykate, opozita dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerësuan si të dëmshme për bizneset.

Deputetja Doarsa Kica – Xhelili kryesuese e Grupit Punues në Komisionin për Legjislacion tha se ideja e  këtij projektligji për Gjykatën Komerciale është të jetë një ligj i realizueshëm pa pengesa procedurale dhe materiale që do t’i bënin dëme fillimit të punës së kësaj gjykate.

Deputetja Kica – Xhelili tha se Gjykata Komerciale është më se e domosdoshme për bizneset vendore dhe ndërkombëtare, pasi siç u shpreh ajo shqyrtimi i lëndëve ekonomike nëpër gjykatat aktuale stërgjatin deri në 8 vjet.

“Pavarësisht të gjithave që u thanë sot këtu, disa elemente janë të përbashkëta për të gjithë. Cilat janë ato? E para kemi vonesa të dëmshme në shqyrtimin e çështjeve komerciale. Këto vonesa po i bëjnë dëme jo vetëm bizneseve vendore, këto vonesa po bëjnë dëm edhe në aspektin e investitorëve të huaj. Shumica e bizneseve lokale, ku hynë kontrata komerciale me investitorë potencial, detyrohen pa dëshirën e tyre që të zgjedhin si mjet të zgjidhjes së kontesteve Arbitrazhin në vendet e tjera neutrale që kushtojnë shumë. Pse ndodhë kjo? Kjo ndodhë pikërisht për faktin që në Kosovë, në sistemin tonë gjyqësor shqyrtimi dhe përfundimi i rasteve të kësaj natyre zgjat deri në tetë vjet, që natyrshëm për bizneset e huaja është e papranueshme”, theksoi ajo. 

Ardian Bajraktari nga Ministria e Drejtësisë që është edhe sponsorizues i këtij projektligji, tha se Gjykata Komerciale e specializuar do të jetë adresë e vetme për bizneset.

Derisa ka thënë  se procesi i hartimit të projektligjit është karakterizuar me një proces të gjatë, duke përfshirë institucionet përkatëse.

“Me një proces të gjatë dhe të gjerë konsultimesh është hartuar edhe koncept dokumenti sipas të cilit rekomandohet hartimi i projektligjit përkatësisht themelimi i Gjykatës e specializuar, ku bizneset do ta kenë këtë adresë”, tha ai.

Në emër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës(KGJK), Astrit Hoti ka thënë se komentet e KGJK-së janë konform legjislacionit në fuqi dhe Kushtetutës.

“Të gjitha komentet janë dhënë me arsyetime, për arsye projektligji i cili na ka ardhur ka pasur disa dilema me të cilat dilte edhe jashtë sistemit. Komentet të cilat janë dhënë, janë dhënë konform ligjeve, konform planit të Këshillit Gjyqësor dhe konform strukturës organizative. KGJK, po ashtu ka paraparë të caktohet edhe lokacioni i kësaj gjykate”, theksoi Hoti. 

Ardi Shita nga Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës(OEAK), duke thënë se Kosova është vonuar me krijimin e Gjykatës Komerciale, tha se funksionalizim i shpejtë i kësaj gjykate është në interesin e të gjithë anëtarëve të Odës Ekonomike Amerikane.


“Është më rëndësi të fokusohemi në thelbin e problemit, jo vetëm bizneset vendore, por edhe investitorët e huaj në këtë vend nuk e kanë momentalisht një adresë që në rast se investojnë 100 milionë euro në sektorin e energjisë, edhe pa pritmas Zyra për Rregullatorin e Energjisë ia revokon licencën, ata nuk e kanë një adresë ku me u drejtuar. Duhet me iu drejtuar Departamentit administrativ për revokimin e licencës në sektorin energjetik me një 100 milionë euro investim edhe financim nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kjo është absurde dhe nuk ndodhë në asnjë vend të botës”, theksoi ai.

Anëtari i Komisionit, Driton Selmanaj nga LDK-ja duke kritikuar KGjK-në dhe Ministrinë e Drejtësisë, tha se mos funksionimin e sistemit të drejtësisë nuk e zgjidhë Gjykata Komerciale.

“Më mirë po e arsyeton projektligjin Oda Ekonomike Amerikane se sa Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor (KGJK). Me këtë po e kuptoj intencën ku është qëllimi, nuk ka të keqe këtu asgjë, kanë probleme komerciale kompanitë, nuk po funksionon sistemi dhe tash po provojnë me bërë një diçka tjetër. Por, dilema ime është kjo, duke mos funksionuar sistemi i drejtësisë në Kosovë, a kemi luksin që të eksperimentojmë. nëse për një çështje trashëgimie në Kosovë, pesë vjet pret një palë, a do të thotë kjo që ne duhet të krijojmë gjykata tjera speciale apo të kthejmë gjykatën administrative edhe një herë, gjykatën e punës, si rezultat pse KGJK-ja  s’po arrin të administroj si duhet sistemin e drejtësisë në Kosovë. Si duket këtu është problemi themelor”, u shpreh Selmanaj.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) theksoi se që nga fillimi kanë qenë kundër krijimit të kësaj gjykate, e cila gjykon jo vetëm çështjet komerciale, por edhe çështjet të cilat janë natyrës administrative.

Madje, ajo tha se Gjykata Komerciale do të krijon më shumë dëme për bizneset se sa zgjidhje.

“Konsiderojmë se zgjidhja ose alternativa e dëshiruar në këtë rast nuk do të arrij t’i zgjidhë këto probleme, për më tepër do të krijojë më shumë dëme se sa që do t’iu ndihmoj bizneseve dhe drejtësisë komerciale në përgjithësi. Unë nuk po ndalem tek argumentet që i kemi kundër krijimit të Gjykatës Komerciale, meqenëse konsideroj që tashmë ky trend vetëm është nisur. po ndalem, te komentet të cilat adresojnë disa prej problematikave kruciale që i ka ky projektligj. Krijimi i kësaj Gjykate po bazohet në statusin e palës, dhe jo në natyrën kontestit. Thënë këtë, ne jemi duke krijuar një gjykatë, e cila po gjykon jo vetëm çështjen e komerciale, mirëpo edhe çështjet të cilat janë natyrës administrative”, theksoi Hoxha. 

Chris Thompson nga USAID-i tha se Gjykata e specializuar të jetë për një drejtësi efektive dhe të hapur.

Ai ka thënë se USAID-i mbështet projektligjin për krijimin e kësaj gjykate dhe zbatimin e tij.

“Gjykata e specializuar të ofroj një qasje në drejtësi më efektive dhe të hapur. Ne jemi të gatshëm t’iu ndihmojmë në shqyrtimin e këtij projektligji si dhe në zbatimin e tij”, tha Thompson. 

Kuvendi ka miratuar muaj më parë në lexim të parë projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Lexo edhe

Video

error: