Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna dhe homologu i tij maqedonas, Branko Azeski kanë diskutuar të hënën në Prishtinë për iniciativat e reja të Forumit të Investimeve të Odave të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal. Së bashku theksuan se kanë për synim zhvillimin e bizneseve në dy vendet, derisa apeluan që ekonomia të jetë prioriteti kryesor për të dy vendet.
Kryetari Rafuna deklaroi se patën mundësinë që të shkëmbejnë idetë dhe sfidat qe po përballen bizneset.
Në një konferencë për media, Rafuna theksoi se partneriteti me Maqedoninë e Veriut është me rëndësi për shtetin e Kosovës. Derisa shtoi se Maqedonia është edhe shteti i parë me të cilin eksporton vendi.
“Për Kosovën është shumë me rëndësi partneri maqedonas. Në qoftë se shihet në statistika, Maqedonia është shteti i parë ku eksportojmë, ne kemi eksport më të madh në Maqedoni se në Shqipëri e vende tjera. Kështu ne jemi të përkushtuar që ta ngritim edhe në një nivel tjetër bashkëpunimin”, tha Rafuna.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski u shpreh se në vitet e ardhshme prioritet duhet të jetë biznesi dhe jo politika.
Azeski tha se i gjithë profiti bëhet nëse hapen kufijtë, me ç’rast shtoi e kjo mund të arrihet vetëm me një bashkëpunim të mirë.
“Në 10 vjetët e ardhshme biznesi të jetë prioritet e jo politika”, tha Azeski.
Mes tjerash, Rafuna bëri të ditur se në takimin e radhës të bordit të Odave të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në fillim të muajit qershor në Prishtinë, do të diskutojnë në detaje dhe do të dalin me konkluzione të përbashkëta se si t’i qasen dhe si do t’i ndihmojnë më mirë bizneset e të dy vendeve.