​Nushi: Qeveria është bërë fabrikë e prodhimit të kripës, na kripën

Partia Socialdemokrate(PSD) ka organizuar një aktivitet simbolik në shenjë proteste para Qeverisë së Kosovës kundër rritjes së çmimeve dhe mungesës, siç thonë ata, të “aktivizimit të mekanizmave shtetërore”.

Në këtë aksion, aktivistët kanë sjellë disa thasë me kripë para derës së Zyrës së Kryeministrit.

Nol Nushi nga PSD theksoi se kanë zgjedhur sloganin “Na kripët”, pasi mendon se Qeveria i ka “kripur” qytetarët.


“Një rritje enorme të pothuajse secilit produkt ushqimor të shportës së konsumatorit. Jeta ka filluar me u bërë shumë e shtrenjtë, mirëpo paralel me këtë jemi dëshmitar të mungesës së aktivizimit të mekanizmave shtetëror. Kemi parë që qeveria dhe institucionet tjera përgjegjëse, përballe kësaj krize kanë zgjedhur të heshtin, të mos bëjnë asgjë, dhe të gjejnë vetëm fajtor dhe asnjë zgjidhje deri më tash”, tha ai.

Nushi theksoi se ashtu siç ka thënë Kurti, ‘ata që kanë marrë shumë miell ta kthejnë nëpër furra’, PSD-ja sot në mënyrë simbolike po ia kthen ‘kripën’ që Kurti ua ka dhënë qytetarëve deri tash.

“Megjithatë, është një produkt që nuk është shtrenjtuar ende, dhe ai është kripa. Ka një arsye pse kripa në Kosovë nuk po shtrenjtohet, sepse ky objekti këtu mbrapa nesh, objekti i Qeverisë praktikisht tash është një fabrikë e prodhimit të kripës. Kryeministri, Qeveria, dhe qeveritarët po na ‘kripin’ çdo ditë. Në kanë ‘krip’ para zgjedhjeve, na kanë ‘kripë’ në fushata dhe po na ‘kripin’ edhe pas zgjedhjeve. Na kanë ‘kripë’ për punësimet familjare, për tenderamoninë, na kanë ‘krip’ që nuk shkojnë në negociata me Serbinë, na kanë ‘kripë’ për zhvillimin ekonomik të vendit, na kanë ‘kripë’ qysh qytetarët kanë me qëndruar në Kosovë dhe s’kanë me ikë, na kanë ‘kripë’ se janë kundër oligarkëve. Pra, pothuajse në secilin qëndrim të tyre politik e socio-ekonomik ata në kanë ‘kripë’. Prandaj, ashtu siç ka thënë Kurti, ‘ata që kanë marrë shumë miell ta kthejnë nëpër furra’, ne simbolikisht po ua kthejmë ‘kripën’ që Kurti ua ka dhënë qytetarëve deri tash”, u shpreh ai.

PSD i bëri thirrje Qeverisë për të vepruar sa më parë ndaj ngritjes së çmimeve, në të kundërtën paralajmëron një kundërshtim popullor.

Lexo edhe

Video